Ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Josè Manuel Albares, siguroi se Madridi do të vazhdojë të mbështesë Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinez (UNRWA).
“Ne nuk do ta ndryshojmë bashkëpunimin tonë me UNRWA, është një organizatë e domosdoshme,” tha Albares, pavarësisht nga provat e sjella nga Izraeli mbi bashkëpunimin midis punonjësve palestinezë të agjencisë dhe Hamasit.
“Spanja do të ndajë 3.5 milionë euro në mënyrë që UNRWA të mund të mbajë aktivitetet e saj në afat të shkurtër”, tha ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares në një komision parlamentar.
“Situata e UNRWA-së është e dëshpëruar dhe ekziston një rrezik serioz që aktivitetet e saj humanitare të paralizohen në Gaza brenda disa javësh,” tha ministri.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha të dielën se fondet totale të pezulluara aktualisht arrijnë në “më shumë se 440 milionë dollarë amerikanë, ose rreth gjysma e fondeve të pritshme të agjencisë për vitin 2024”.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, është duke ndërmarrë veprime dhe, në konsultim me Komisionerin e Përgjithshëm të UNRWA-s, Philippe Lazzarini, ka caktuar një grup të pavarur shqyrtimi për të vlerësuar nëse Agjencia po bën gjithçka në fuqinë e saj për të garantuar neutralitetin dhe për t’iu përgjigjur pretendimeve për shkelje të rënda nëse ato ndodhin.
Shqyrtimi do të drejtohet nga Catherine Colonna, ish-ministre e jashtme franceze.
“Akuzat kundër UNRWA-s”, parashtroi socialisti portugez, “vinin në një kohë kur agjencia më e madhe e OKB-së në rajon po punon në kushte jashtëzakonisht të vështira për të ofruar ndihmë për dy milionë banorë”.