MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Sa nga 1.6 milionë zgjedhësit në emigracion do të votonin, nëse do t’u jepej mundësia

08.02.2024 - 12:05

Nga një sondazh që zhvillova për Report TV, rezultoi se treçereku i shqiptarëve të këtushëm mendojnë se në zgjedhjet e rradhës, duhet të realizohet votimi i zgjedhësve në emigracion (lexo këtu: https://shqiptarja.com/lajm/sondazhi-ne-report-tv-shumica-derrmuese-e-shqiptareve-mendojne-se-emigrantet-duhet-te-votojne-ne-zgjedhjet-e-ardhshme ). Por siç ka paralajmëruar Celibashi i KQZ-së, ndryshimet e nevojshme ligjore për t’u realizuar votimi i zgjedhësve shqiptarë në emigracion duhen bërë të paktën një vit para zgjedhjeve…

Sidoqoftë, përkundër gjasave jo të mëdha, le të supozojmë se trysnia e opozitës dhe e ndërkombëtarëve do të bëjë të mundur një marrveshje parlamentare për realizimin e votimit në zgjedhjet e rradhës të zgjedhësve në emigracion (në zbatim të vendimit të prerë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë rreth kësaj çështje).

Dhe pyetja e parë që lind është se sa zgjedhës janë në emigracion?

Nga listat zyrtare më të fundit të zgjedhësve, të publikuara nga KQZ, rezultojnë 3.65 milionë shtetas shqiptarë me të drejtë vote. Për zgjedhësit që banojnë në Shqipëri, kam bërë një vlerësim të përafërt statistikor vjet, kur drejtova një sondazh rigoroz në terren nga Konispoli në Vermosh. Rezultoi se 68.6% kishin votuar vjet më 14 maj dhe 31.4% nuk kishin votuar. Duke e marrë të mirëqënë shifrën e certifikuar nga Celibashi të 1.4 milionë pjesëmarrësve në zgjedhjet e vjetshme, mund të llogaritet se rreth 650 mijë banorë të rritur nuk morën pjesë në zgjedhjet e 14 majit. Dmth, rreth 2 milionë e 50 mijë zgjedhës ishin vjet në Shqipëri. (Meqë çdo sondazh ka një marzh gabimi statistikor – 2.6% në rastin e mësipërm – kjo shifër mund të luhatet me +/- 50 mijë).

Përmbledhtazi mund të thuhet se rreth 1.6 milionë zgjedhës ishin vjet në emigracion dhe rreth 2 milionë e 50 mijë ishin këtu. (Numri total i shtetasve shqiptarë në regjistrin e Gjendjes Civile ishte rreth 4.65 milionë në tetor, e nga këta, me afërsi, rreth 2 milionë ishin në emigracion.)

Dhe tani vijmë tek pyetja se sa nga 1.6 milionë zgjedhësit në emigracion do të votonin, nëse u jepet mundësia praktike që të votojnë atje ku jetojnë?

Është statistikisht e pamundur të zhvillohet një sondazh përfaqësues për këta 1.6 milionë zgjedhës të shpërndarë në çdo cep të botës. Sidoqoftë, mund të përdoren indikatorë të tërthortë statistikorë për të bërë një vlerësim të përafërt se sa prej tyre do të votonin (nëse u jepet mundësia praktike që të votojnë atje ku jetojnë).

Burimi kryesor i infomimit për zgjedhësit shqiptarë në emigracion është interneti (janë edhe platformat digjitale televizive, por zakonisht abonentët e tyre jashtë vendit ndjekin edhe lajmet në internet). Nisur nga ky realitet, në bashkëpunim me specialistin tim IT të sondazheve, bëmë një analizë të klikimeve në të gjitha portalet shqiptare dhe faqet e internetit të gazetave e të televizioneve. Dhe nga kjo analizë na rezultoi se rreth 68% e klikimeve vinin nga adresa IP të regjistruara në Shqipëri, rreth 8% vinin nga adresa IP të regjistruara në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, dhe vetëm 24% vinin nga adresa IP të regjistruara në vende të tjera të botës.

Me një ekstrapolim të përafërt (bazuar në gjetjet e mësipërme dhe në disa abstragime statistikore), na rezultoi se vetëm 400-450 mijë shtetas shqiptarë në emigracion (nga 1.6 milion gjithsej) mund të jenë aktivë politikisht (pra, që ndoshta do ta marrin mundimin të votojnë, nëse u krijohet mundsia atje ku jetojnë).

Se për kë mund të votojnë ata 400-450 mijë (nëse u krijohet mundësia të votojnë atje ku jetojnë), s’ka sondazh që e gjen dot…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin