Agroturizmet do të mund të pajisjen me certifikatë paraprake me afat 2-vjeçar ose certifikatë të rinovuar duke aplikuar në e-Albania pranë Komisionit Vlerësues të Certifikimit.
Një urdhër i fundit i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ka përcaktuar rregulloren mbi të cilën do të funksionojë procesi, kushtet që duhet të plotësojnë subjektet dhe monitorimi që do të bëhet ndaj tyre.
Gjithçka nis me aplikimin në e-Albania dhe kryerjen e një pagese prej 2000 lekësh. Këtë duhet ta shoqërojë me lejen dhe treguesit e zhvillimit, nënshkruar nga titullari i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Po kështu duhet të paraqitet edhe projekti, për të gjithë strukturën e agroturizmit që do të ndërtohet, ku të jetë e përfshirë gjithçka, që nga akomodimi, ushqimi dhe pijet, i nënshkruar nga inxhinieri apo studioja inxhinierike.
Rregullorja parashikon edhe dokumentet që duhen për të përfituar rinovimin e certifikatës. Disa prej të cilave janë fragmenti i hartës kadastrale, leja e përdorimit , fotografi e fermës si dhe vetëdeklarim në e-Albania se 30 % e produkteve janë me origjinë nga ferma.
Pas dorëzimit të dokumenteve Komisioni brenda 15 ditë-punë nga depozitimi i aplikimit në portalin e-Albania merr vendimin.
Në çdo rast pas marrjes së miratimit certifikata paraprake apo certifikata gjenerohet online nga sistemi në e-Albania.
Rregullorja parashikon se Komisioni ka të drejtë të pezullojë certifikatën kur konstaton parregullsi ose shkelje të kritereve.
Monitorimi i të gjithë përfituesve bëhet nga bashkitë, si dhe Inspektoratit të Turizmit ose organeve kompetente.