Gjenerali Valery Zaluzhny u hoq nga posti i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës nga Volodymyr Zelensky. Lajmi kishte ditë të tëra që qarkullonte, duke qenë se mosmarrëveshjet mes dy figurave përfliteshin prej javësh. Për muaj të tërë, mosmarrëveshjet e mprehta mbi gjendjen e luftës midis presidentit dhe gjeneralit kanë tërhequr vëmendjen e publikut, duke reflektuar tensionin e shtuar në Kiev mbi kundërsulmin e dështuar të vitit të kaluar dhe pakësimin e rezervave të armëve dhe municioneve. Njoftimi zyrtar ka mbërritur vetëm tani, me presidentin e Ukrainës që njoftoi shkarkimin e Zaluzhny me një postim në X, pa folur megjithatë në mënyrë eksplicite për shkarkimin. “Unë takova gjeneralin Valerii Zaluzhnyi dhe e falënderova për dy vitet në të cilat ai mbrojti Ukrainën,” shkroi kreu i shtetit të Kievit, duke pretenduar se kishte diskutuar vendimin për ndryshimin e qasjeve dhe strategjive ushtarake me personin e interesuar në terren. Sakaq, Zelensky nuk e la aspak karrigen e Zaluzhny-t bosh, duke e zëvendësuar atë menjëherë me Oleksandr Stanislavovich Sirsky.
Largimi i Zaluzhny
Zelensky shpjegoi se ai foli me Zaluzhny “për rinovimin që ka nevojë Forcat e Armatosura të Ukrainës. “Ne diskutuam gjithashtu se kush mund të jetë pjesë e udhëheqjes së rinovuar të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Koha për një rinovim të tillë është tani,” tha presidenti, i cili thotë se “i propozoi gjeneralit Zaluzhnyi të qëndronte në ekip.” “Do të fitojmë patjetër!”, përfundoi lideri ukrainas. Përgjigja e Zaluzhny nuk vonoi shumë. Në kanalin e tij Telegram ai shkroi se “është marrë një vendim për nevojën e ndryshimit të qasjeve dhe strategjisë”. Komandanti e cilësoi bisedën e zhvilluar me presidentin si “të rëndësishme dhe serioze”. Megjithëse gjenerali është një nga njerëzit më të njohur në Ukrainë, falë rolit kyç që luajti në zbutjen e sulmit fillestar rus pothuajse dy vjet më parë, dhe shihet si një rival i mundshëm politik i Zelenskit, në muajt e fundit imazhi i tij është përkeqësuar në disa pjesë të vendit. Zaluzhny, si dhe me liderin ukrainas, ka pasur gjithashtu tensione me Uashingtonin, pasi ai dhe udhëheqësit ushtarakë amerikanë nuk ranë dakord për mënyrën e kryerjes së kundërofensive kundër Moskës vitin e kaluar. Sipas asaj që u raportua nga faqja e internetit Politico, Zelensky do të kishte informuar Shtëpinë e Bardhë për dëshirën e tij për të hequr Zaluzhny. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kishin deklaruar publikisht se vendime të tilla do t’ia linin Kievit.
“Truri i kundëofensivës”
Nëse kërkoni gjeneralin Oleksandr Sirsky në internet, ai do të përshkruhet si “gjenerali më i suksesshëm i shekullit të 21-të deri më tani”. Gjenerali Sirsky udhëhoqi mbrojtjen e Kievit në fillim të pushtimit të plotë rus të Ukrainës vitin e kaluar. Sirsky lindi më 26 korrik 1956 në Vladimir, atëherë në Bashkimin Sovjetik. Që nga viti 2019, ai ka qenë komandant i Ushtrisë Tokësore të Ukrainës, dhe më parë komandant i Operacionit të Forcave të Përbashkëta. Sirsky u diplomua në Shkollën e Lartë të Komandës Ushtarake në Moskë, institucioni kryesor arsimor i lartë ushtarak në Bashkimin Sovjetik. Para luftës në Donbas, ai komandoi brigadën e 72-të të mekanizuar dhe u gradua gjeneral-major. Me fillimin e luftës në Ukrainën lindore, ai ishte shefi i shtabit të operacioneve antiterroriste.Sirski u nderua me Urdhrin e Bogdan Khmelnytsky shkalla III, dhe më vonë mori gradën e gjeneral-lejtnant për suksesin e tij në Betejën e Debaljcev. Nga 6 maji deri më 5 gusht 2019, ai ishte komandant i Shtabit të Përbashkët Operacional të Forcave të Armatosura të Ukrainës.Që nga 5 gushti 2019, Sirski është komandant i Ushtrisë Tokësore të Forcave të Armatosura të Ukrainës . Më 23 gusht 2020 u gradua në gradën gjenerallejtënant. Grada nuk jepet më në ushtrinë ukrainase që nga 1 tetori 2020, por Sirsky e ka ruajtur atë, duke qenë i vetmi oficer ushtarak ukrainas që ka mbetur në detyrë aktive për të mbajtur këtë gradë të veçantë.Në prill 2022, Sirsky mori çmimin “Hero i Ukrainës” për përpjekjet e tij.