Kina bëhet ofruesi de facto i sigurisë në Lindjen e Mesme. Dhe kjo nuk është gjë tjetër, veçse një grusht shteti gjeopolitik…
Fiset arabe me bazë në zona të humbura shkretinore, po e ndryshojnë sërish botën. Sulmet pirate ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare nga rebelët Houthi me bazë në Jemen, kanë krijuar një krizë sigurie serioze në Detin e Kuq.
Linjat më të mëdha të transportit detar në botë, janë detyruar që të pezullojnë kalimin tranzit përmes Detit të Kuq dhe rrjedhimisht edhe Kanalit të Suezit. Dhe në kushtet kur gati 1/3 e trafikut global të kontejnerëve kalon zakonisht nga Suezi, kjo situatë e ka dëmtuar jo pak tregtinë botërore.
Megjithatë, ndikimi më i qëndrueshëm i krizës mund të jetë në ekuilibrin gjeopolitik midis dy fuqive të mëdha, secila mijëra kilometra larg rërës përvëluese të Gadishullit Arabik: Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Si kombi më i madh tregtar në botë, Kina rrezikohet jo pak nga ngërçi në Detin e Kuq.
Evropa është partnerja kryesore tregtare e Kinës, dhe më shumë se 60 për qind e kësaj tregtie zhvillohet zakonisht përmes Kanalit të Suezit. Me ndërprerjen e kësaj rruge, anijet po detyrohen të kalojnë në Kepin e Shpresës së Mirë në Afrikën e Jugut, duke e shtuar me të paktën 2 javë udhëtimin dhe duke rritur ndjeshëm kostot e transportit.
Deri më 25 janar, kostoja mesatare e transportit të një kontejneri 12 metra të gjatë nga Shangai i Kinës në Genova të Italisë u rrit në 6.365 dollarë, pra një rritje prej 464 për qind krahasuar me 2 muaj më parë. Po ashtu janë rritur ndjeshëm tarifat nga kompanitë e sigurimit.
Mbi të gjitha, kompanitë kineze kanë investuar miliarda dollarë asete në rajon, siç është blerja e 20 për qind të aksioneve në terminalin e kontejnerëve të anës lindore të Port Said në Kanalin të Suezit, që tashmë është në pronësi të gjigantit shtetëror kinez të transportit COSCO.
Teksa ka nisur të bjerë ritmi i rritjes ekonomike të Kinës, kriza aktuale rrezikon të imponojë një rënie të mëtejshme të ekonomisë së saj. Duke e perceptuar këtë dobësi, Uashingtoni është përpjekur ta përdorë atë si levë për ta bindur Pekinin që të ndihmojë në dhënien fund të kësaj krize.
Kina është mbështetësja kryesore ekonomike dhe gjeopolitike e Iranit, që nga ana e tij mbështet rebelët Houthi, duke i përdorur ata si një mjet për të goditur Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij. Disa zyrtarë në Uashington janë të bindur se po të donte vërtet, Pekini mund t’i bënte presion Teheranit që t’i japë fund sulmeve të Houthi.
Financial Times, raporton se zyrtarët e administratës Biden “e kanë ngritur vazhdimisht këtë çështje me zyrtarë të lartë kinezë gjatë 3 muajve të fundit”. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, ishte së fundmi në Tajlandë ku u takua me Ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi.
Por duket se kjo përpjekje diplomatike ka dështuar. Përveç një deklarate publike shumë të vakët që u bën thirrje “të gjitha palëve përkatëse të garantojnë sigurinë e lundrimit në Detin e Kuq”, Pekini nuk ka bërë asnjë lëvizje për të zgjidhur krizën.
Përkundrazi, ai i bëri thirrje Uashingtonit që të “mos i hedhë benzinë zjarrit” në Lindjen e Mesme. Ndërkaq sulmet në Detin e Kuq vazhdojnë. Disa zyrtarë në Uashington po shprehin pakënaqësinë e tyre. Për shembull, në fund të janarit kongresmeni Jake Auchincloss kritikoi Kinën në një seancë dëgjimore të Kongresit që “jo vetëm nuk po shfaq një mbështetje aktive të tregtisë dhe rregullave ndërkombëtare, por në fakt po e minon në mënyrë aktive potencialin për një zgjidhje paqësore të kësaj krize”.
Dhe sipas tij, dështimi për të ndërhyrë ishte vetëm “një shembull tjetër i përpjekjeve dashakeqe ndaj udhëheqjes globale nga ana e Partisë Komuniste Kineze”. Megjithatë Auchincloss dhe ata që mendojnë si ai në Uashington, duhet të jenë ndoshta më të kujdesshëm mbi atë që dëshirojnë.
E vërteta është se për dekada me radhë, apo më mirë le të themi në pjesën më të madhe të dy shekujve të fundit, ka qenë SHBA-ja ajo që ka shërbyer si “garante e tregtisë dhe e respektimit të rregullave ndërkombëtare”.
Ishte vendosmëria për të mbrojtur tregtinë detare nga piratët, ajo që nxiti Shtetet e Bashkuara të kryenin ndërhyrjen e tyre të parë në një vend të huaj, Luftërat Barbare të viteve 1801 dhe 1815, që farkëtuan njëherë e përgjithmonë identitetin e saj si një aktore ndërkombëtare.
Nëse kombi do të bëhej dhe do të duhej të mbetej vërtet një republikë tregtare, kjo do të thoshte se ai duhej siç e theksoi presidenti i atëhershëm Thomas Jefferson “të mbikëqyrë sigurinë e tregtisë sonë, burimeve të forcës dhe trimërisë tonë në çdo det”. Dy shekuj më vonë, marina amerikane vepronte ende sloganin “Një forcë globale për të mirën”.
Pra i gjithë imazhi dhe realiteti i Amerikës si një superfuqi mbështetet kryesisht, ashtu si Perandoria Britanike përpara saj, në aftësinë e saj për të siguruar tregtinë globale. Dhe nëse ka mbetur ende ndonjë copë “Pax Americana” mbi të cilën u ndërtua e gjithë epoka e fundit e globalizimit, kjo është tregtia globale.
Në këtë kontekst, zyrtarët e Uashingtonit duhet të marrin në konsideratë se çfarë do të thotë nëse Pekini do t’i dëgjonte lutjet e tyre, dhe do të merrte në fakt rolin e Amerikës si një ofrues sigurie. Në rast se kombet e botës do të nisnin t’i drejtoheshin Kinës për “udhëheqje globale” në vend të Shteteve të Bashkuara sa herë që anijet e tyre tregtare kanë nevojë për mbrojtje, kjo do të shënonte në mënyrë vendimtare kalimin nga një “shekull amerikan” në një “shekull kinez”, ashtu si Britania ia dorëzoi detet kolonisë së saj të dikurshme.
Madje Uashingtoni duhet ta konsiderojë veten me fat që deri më tani Pekini ka refuzuar të provojë këtë rol. Ndërkohë, përpjekja e vetë Amerikës për të kryer punën e saj të vjetër për sigurimin e rrugëve detare, ka rezultuar pak më shumë se një dështim. Përmes Marinës, SHBA u përpoq të zbatonte operacionin “Prosperity Guardian”, me një koalicion shumëkombësh forcash nën komandën e saj, që synonte të patrullonte ujërat në Detin e Kuq.
Por kjo përpjekje dështoi pothuajse menjëherë kur Franca, Italia dhe Spanja – për të cilat Uashingtoni tha para kohe se do të ishin pjesëtare – refuzuan të merrnin pjesë, duke thënë se nuk do të pranonin komandën e SHBA-së. Ndërkohë përveç Bahreinit, në të nuk mori pjesë asnjë vend i Lindjes së Mesme.
Ndaj Marina Amerikane po detyrohet të shoqërojë anijet që në fakt lundrojnë nën flamujt dhe titujt e tyre. Pra po shohim një shpërbërje reale në “rendin ndërkombëtar”, në kuptimin e ekzistencës së ndonjë rregulli – që dikur ishte imponuar nga fuqia amerikane. Po kthehemi në një botë më të vjetër, ne në të cilën nuk ka një “xhandar global”, dhe ku secili është i detyruar të mbrojë interesat e veta kombëtare.
Kinezët janë të mirë-përgatitur për të përfituar nga kjo situatë. Ndonëse tani për tani edhe COSCO e ka braktisur rrugën e Detit të Kuq, kompani më të vogla kineze kanë shfrytëzuar rastin për të mbushur boshllëkun. Për shembull, China United Lines (CULines) ka nxituar të hapë linjën “Red Sea Express”, që lidh Jeddah e Arabisë Saudite me portet kineze.
Ato janë në gjendje ta bëjnë këtë, sepse Houthit duket se janë urdhëruar prerë që të shmangin sulmin ndaj anijeve të lidhura me Kinën. Anijet që kalojnë ende në ngushticat në Detin e Kuq, sigurohen që të shfaqin në mënyrë të dukshme flamujt kinezë, dhe të përdorin të dhënat e tyre të identifikimit satelitor për t’u bërë me dije se kanë pronarë kinezë, apo qoftë edhe anëtarë kinezë në ekuipazhin e tyre.
Marina e Kinës ka të paktën 3 anije luftarake në zonë që shoqërojnë anijet e saj. Arsyeja pse Pekini duket kaq i qetë për krizën është e qartë: kjo është një situatë në të cilën ai fiton në çdo lloj aspekti. Kërcënimi vazhdon, por transporti është më i sigurt për anijet kineze sesa për të tjerat.
Në këtë rast, Kina bëhet ofruesi de facto i sigurisë në Lindjen e Mesme. Dhe kjo do të ishte si një grusht shteti gjeopolitik. Ndërkohë, kriza i jep Kinës një justifikim real për vazhdimin e ndërtimit të shpejtë të një marine edhe më të fuqishme që do jetë në gjendje të projektojë fuqi larg brigjeve të saj.
Kjo është mënyra se si është formuar dhe reformuar gjithmonë “rendi botëror”: nga kombet dhe perandoritë që veprojnë jashtë vendit për të mbrojtur interesat e tyre, apo që kanë dështuar vazhdimisht për ta arritur këtë, ndërkohë që të tjerët kanë nxituar të mbushin boshllëkun.
Prandaj, kriza në Detin e Kuq është simbolikisht dhe praktikisht shumë kuptimplotë. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk do të munden të koordinojnë veprimet e tyre, ne mund ta shikojmë këtë si një moment të një ndryshim të madh gjeopolitik./