Një shkëndije elektrike dyshohet se ka qenë shkaku i rënies së zjarrit në ambientet e Urgjencës së re të QSUT-së.
Zjarri ka rënë rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm, ndërsa për fat të mirë nuk ka persona të lënduar. Ndërkohë pacientet dhe stafi mjekësor u evakuuan.
Të gjithë pacientët u transferuan me ambulancë për në spitalin e Sanatoriumit në Sauk.
Reagimi i QSUT
Në një reagim, QSUT tha se në orët e para të mëngjesit është parë tym në katin – 1, ndërsa theksoi se po punohet për të zbardhur shkaqet.
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym.
Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.
Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës.
Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”.
Policia:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.