Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë, ku në fokus të mbledhjes do të jenë jo vetëm zgjedhjet parlamentare 2025, por edhe riorganizimin i strukturave të partisë, i paralajmëruar që në dhjetor të 2023-shit nga kryesocialisti Edi Rama, me synimin që viti zgjedhor t’i gjejë gati.
Rreth 400 anëtarët e asamblesë, vetë Rama, ministrat e deputetët do të mblidhen në orën 10:30 në një restorant në periferi të Tiranës. Për anëtarët e Asamblesë pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara.
Fokusi do të jetë për raportimin e detyrave të lëna në Kongresin e Partisë Socialiste më 8 dhjetor, aty nga ku kryeministri Edi Rama njoftoi se pranvera e 2024-ës do ta gjejë Partinë Socialiste me struktura të reja.