Në raportet mediatike mbi protestat, theksohet se fermerët janë kundër disa prej politikave më të rëndësishme në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Më 6 shkurt, Komisioni Evropian shpalli një objektiv të ri ambicioz, që parashikon një ulje me 90 për qind të emetimeve të gazrave serë në atmosferë deri në vitin 2040, krahasuar me nivelet e vitit 1990. Rekomandimi, që nuk është detyrues, dhe që do të diskutohet në të ardhmen nga institucionet e tjera të Bashkimit Evropian, përmban udhëzime shumë të paqarta për sektorin e bujqësisë, pavarësisht se ai prodhon vetëm 14 për qind të të gjitha emetimeve në BE.
Dhe mungesa e udhëzimeve të qarta nuk ka kaluar pa u vënë re. Sipas analistëve, kjo ka ndodhur për shkak të dëshirës së Komisionit Evropian për të mos përkeqësuar më tej marrëdhëniet me fermerët, të cilat janë acaruar shumë javët e fundit, pjesërisht për shkak të nismave që lidhen me reduktimin e emetimeve të gazrave serë.
Prej disa javësh, fermerët në Itali, Francë, Gjermani, Spanjë dhe vende të tjera evropiane, po protestojnë kundër politikave kombëtare por edhe të BE-së që po zbatohen në sektorin e tyre. Arsyet e protestave ndryshojnë në varësi të vendit. Kërkesat janë jo gjithnjë koherente dhe të lehta për t’u kuptuar.
Por në një mënyrë a tjetrën, të gjitha kanë të bëjnë me mënyrën se si ndahen subvencionet për të mbështetur aktivitetet bujqësore, kufizimet që duhet të respektohen për marrjen e tyre, si dhe me rregullat e reja për reduktimin e emetimeve.
Se ata janë më të interesuar për përfitimet e tyre vetjake, sesa për mjedisin dhe të ardhmen e tij. Në realitet, çështja është shumë më komplekse se sa kaq. Protestat e ditëve të fundit, janë rrjedhojë e vështirësive ekonomike që po hasin fermerët prej vitesh, e propozimeve për mbrojtjen e klimës, që janë të vështira të përmbushen brenda një kohë të shkurtër, por edhe të mekanizmave jo gjithmonë efektive në ndarjen e subvencioneve.
Sektori i bujqësisë në Bashkimin Evropian, luan një rol të rëndësishëm si nga pikëpamja ekonomike po ashtu edhe për shërbimet që ofron, duke qenë se prodhon ushqimin që konsumohet nga qindra miliona njerëz. Të dhënat më të fundit mbi vitin 2022, tregojnë se bujqësia dhe blegtoria përbëjnë rreth 1.5 për qind të PBB-së së unionit.
Është një peshë relativisht e vogël, krahasuar me sektorët e tjerë shumë më të mëdhenj. Por në terma absolutë është ende domethënëse, me rreth 221 miliardë euro në vitin 2022. Dhe nëse marrim parasysh vlerën e gjeneruar nga të gjitha aktivitetet bujqësore, duke përfshirë industritë e lidhura me to, arrijmë në shifrën 540 miliardë euro, ku shumica vjen drejtpërdrejt nga të korrat (rreth 290 miliardë euro).
Vetëm 4 vende, prodhojnë afro 57 për qind të vlerës së gjithçkaje që lidhet me sektorin bujqësor evropian: Franca me 97 miliardë euro, Gjermania me 76, Italia me 71.5 dhe së fundi Spanja me 63 miliardë euro. Pesha më e madhe e këtyre vendeve në prodhimin bujqësor, shpjegon të paktën pjesërisht edhe arsyen pse protestat më të mëdha ndodhën pikërisht në këto vende.
Për arsye historike dhe të funksionimi të tregut, është shumë e rrallë që sektori i bujqësisë të jetë në gjendje të mbajë veten pa ndihmën e shtetit. Ky është një problem i përhapur, që prek shumë zona të botës, dhe që gati gjithmonë adresohet nga qeveritë përmes lehtësive tatimore dhe subvencioneve, të cilat synojnë për shembull një çmim më të ulët të karburantit për automjetet bujqësore apo inkurajimin e investimeve për ta bërë më efikas prodhimin bujqësor.
Në Bashkimin Evropian, moria e rregullave që rregullojnë disbursimin e fondeve evropiane quhet “Politika e Përbashkët Bujqësore” (CAP) dhe përditësohet çdo 5 vjet. CAP-i aktual është në fuqi prej vitit të kaluar, dhe do të jetë i vlefshëm deri në fund të vitit 2027.
Ai parashikon ndarjen e rreth 387 miliardë eurove, në 2 zëra kryesorë: Fondi Evropian i Garancisë për Agrikulturën (EAGF) dhe Fondi Evropian i Agrikulturës për zhvillimin rural (EAFRD). Shumica e parave, do të shpërndahen përmes subvencioneve direkte për fermerët, me rreth 190 miliardë euro shpenzime.
Kriteret e përfitimit nga CAP janë rishikuar. Sot ka metoda të reja të qasjes tek fondet, dhe kufizime më të mëdha të lidhura mbi të gjitha me mbrojtjen e mjedisit. Fermerët që nuk përmbushin disa kërkesa të nevojshme, mund të mos marrin subvencione.
Me kalimin e viteve, subvencionet kanë rezultuar të jenë shumë të rëndësishme për të mbajtur në këmbë një sektor të ekspozuar shpeshherë ndaj luhatjeve të çmimeve, për shkak të mënyrës se si kërkesa ndryshon në bazë të ofertës nga vendet e huaja, por edhe për shkak të ngjarjeve të mëdha dhe të papritura, si për shembull, pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.
E shpallur në vitin 2020, Marrëveshja e Gjelbër është seria e iniciativave politike të propozuara nga Komisioni Evropian për të arritur neutralitetin e karbonit në Evropë deri në vitin 2050 (pra të qenit në gjendje të largojmë më shumë se sa çlirojmë dioksid karboni apo gazra të tjerë në atmosferë).
Projekti më i rëndësishëm në kuadër të kësaj marrëveshjes për sektorin e bujqësisë është i ashtuquajturi “Farm to Fork “, pra nga “nga ferma në pirun”. Ai kishte objektiva shumë ambiciozë, si për shembull një reduktim të fortë të përdorimit të plehrave dhe pesticideve (të cilat kanë efekte mbi shumë specie të rëndësishme për ekosistemet), konvertimin e një të katërtës së tokës në kultura organike dhe mbjelljen e të paktën 3 miliardë pemëve.
Disa propozime nuk janë përmbushur, ndërsa të tjerat janë rishikuar gradualisht dhe reduktuar në fushëveprim për të përmbushur kërkesat e sektorit të bujqësisë. Rasti më i diskutuar ditët e fundit ishte ai i Rregullores së Përdorimit të Qëndrueshëm (SUR), e cila si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër parashikonte një reduktim progresiv të pesticideve deri në vitin 2030.
Më 6 shkurt, Komisioni Evropian vendosi të heqë dorë nga SUR, pasi propozimi për reduktimin ishte refuzuar tashmë nga Parlamenti Evropian në nëntor 2023. Heqja dorë nga SUR, është parë si një lëshim për fermerët, në prag të zgjedhjeve evropiane të qershorit. Por vendimi është kritikuar ashpër nga shkencëtarët që prej vitesh studiojnë efektet e pesticideve në mjedis, duke zbuluar shpesh pasojat që dëmtojnë vetë sektorin e bujqësisë.
Vitin e kaluar, 6.000 shkencëtarë nënshkruan një letër në mbështetje të SUR, duke sinjalizuar rëndësinë e mos-shtyrjes së mëtejshme të vendimit për pesticidet. Kërkesat dhe ankesat e fermerëve ndryshojnë shumë, dhe nuk është gjithmonë e lehtë të kuptohet vlefshmëria e tyre.
Por vitet e fundit, është bërë e dukshme një mospërputhje e caktuar midis zgjedhjeve të lidhura me politikat bujqësore dhe mjedisore. Rregulla më të rrepta dhe shpesh komplekse, janë miratuar për të reduktuar ndikimin mjedisor të sektorit, pa adresuar plotësisht disa nga problemet më të rëndësishme, veçanërisht për prodhuesit e vegjël e të mesëm, të cilët e kanë më të vështirë të bëjnë investime dhe të zbatojnë rregullat e reja.
Për shembull, kufizimet e forta në përdorimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht (OMGJ), mund ta bëjnë më të nevojshëm përdorimin e pesticideve, sepse të korrat janë më pak rezistente ndaj parazitëve. Prandaj, kërkesa për të përdorur më pak pesticide, mund të ketë një ndikim të fortë në rendimentet e të korrave, që janë tashmë më të ulëta se ato të kultivuara në vendet ku OMGJ-të mund të përdoren lirisht.