Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, qeveria amerikane ka qenë një mbështetëse e vendosur e përpjekjeve të Ukrainës për luftë. Administrata Biden ka miratuar në mënyrë të përsëritur paketa shpenzimesh emergjente për të mbështetur qeverinë dhe ushtrinë ukrainase. Ky financim kishte shkuar deri në 113 miliardë dollarë. Por sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se mbështetja e amerikanëve për Ukrainën po zbehej edhe para sulmit terrorist të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023 dhe lufta Izrael-Hamas që pasoi tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare nga Ukraina. Sigurisht rezultate shqetësuese ka pasur edhe propaganda e Donald Trump, i cili ka shprehur qartazi se SHBA duhet të ndalojë ofrimin e ndihmës së huaj nëse nuk strukturohet si hua. Megjithatë, në këtë situatë të turbullt, SHBA ka treguar edhe një herë mbështetjen e saj për Ukrainën, madje duke e “përkëdhelur” më shumë sesa Izraelin apo Tajvanin.
Paketa e ndihmës
Paketa e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin me vlerë 95.3 miliardë dollarë më në fund ka kaluar pengesën e saj të parë procedurale në Kongresin Amerikan, pasi Senati njoftoi në një votim paraprak të hënën dhe më pas të martën, më në fund konfirmoi se ka shumicën e nevojshme për miratimin e saj.Paketa e re do të përmbajë këstin më të madh të ndihmës që nga fillimi i pushtimit, brenda të cilit Kievit do t’i ndahen menjëherë 60 miliardë dollarë, ndërsa pjesa tjetër e fondeve të synuara do të qëndrojë në dispozicion të tyre deri më 30 shtator 2025. Paketa gjithashtu përfshin 14.1 miliardë dollarë të destinuara për Izraelin, por edhe 2.4 miliardë dollarë për operacione ushtarake kundër Huthëve të Jemenit në Detin e Kuq. Rreth 22 senatorë republikanë, kryesisht falë lobimit të palodhshëm të liderit të pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, iu bashkuan pothuajse të gjithë kolegëve të tyre demokratë, prandaj projektligji u miratua në Senat me 70 vota pro dhe 29 kundër.
Tensione në Kongres
“Neville Chamberlains-at e epokës sonë injorojnë me këmbëngulje paralajmërimet e historisë; orekset e autokratëve nuk do të kënaqen kurrë”, tha Chuck Shumer, udhëheqësi i shumicës demokratike në Senat përpara votimit. Vlen të përmendet se Bernie Sanders , një senator i pavarur nga Vermont, i cili normalisht voton me demokratët, votoi kundër paketës së ndihmës. Demokratëve iu bashkua edhe ish-kandidati republikan për president, Mitt Romney, i cili duke pasur parasysh se nuk planifikon më të kandidojë për poste publike në epokën e Donald Trump , kritikon gjithnjë e më shumë lidershipin e partisë për izolacionizmin në të cilin po shkon në një moment shumë delikat gjeopolitik. Nga 22 republikanët e guximshëm, vlen të theksohet senatori Jerry Moran, i cili pranoi në fjalimin e tij se është i vetëdijshëm “që shumica e zgjedhësve të tij nuk do të pajtohen me vendimin”.
“Dora” e Donald Trump
Konkretisht, kundërshtarët pretendojnë se SHBA-ja aktualisht nuk ka burime të mjaftueshme për të vazhduar financimin e pakushtëzuar të luftës “në Evropën e largët”, në të cilën “Putini me siguri do të fitojë gjithsesi”. “Me këtë votim, ne i ngritëm gishtin e mesit të gjithë amerikanëve, duke ua bërë të qartë se ne nuk kujdesemi për nevojat e tyre”, tha republikani Rand Paul. Megjithatë, vetëm pasi Senati ndërmori një hap në një drejtim konstruktiv, Kievi do të haset shpejtme një pengesë të re dhe të rrezikshme. Domethënë, vetëm pasi Senati të ketë konfirmuar zyrtarisht propozimin ligjor, paketa do të duhet të jetë në tryezën e Dhomës së Përfaqësuesve, në të cilën ka “fuqi” Mike Johnson, një nga anëtarët e fraksionit radikal të klientëve republikanë. Frenat “mbahen” ende nga kandidati ende jozyrtar presidencial i së djathtës, Donald Trump, strategjia kryesore e të cilit aktualisht është të sabotojë çdo përpjekje të Biden për të zgjidhur ose arritur ndonjë gjë, në mënyrë që ai të përdorë kaosin për të rritur vlerësimet e veta në mes të fushatës presidenciale, në një kohë kur, sipas sondazheve 56 për qind e votuesve republikanë besojnë se Amerika po e ndihmon shumë Ukrainën në luftën kundër Rusisë.