Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri shoqërohet me masa të rrepta sigurie. Mësohet se në terren ndodhet edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Ndërkohë është bllokuar edhe rruga e kryeministrisë, së bashku me disa akse të tjera.
Mbi 1 mijë forca policie do të jenë të angazhuara në mbarëvajtjen e vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë. Në kuadër të këtyre masave, rrugët kryesore që lidhin Rinasin me Tiranën do të jenë të bllokuara.
Qytetarët do të duhet të ndjekin rrugë alternative për të shkuar në aeroport. Gjithashtu do të ndalohet parkimi nga ora 19:30 të kësaj të mërkure deri në orën 20:00 të së enjtes në rrugët që rrethojnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.Masat e ndërmarra dhe kufizimet para dhe gjatë vizitës janë si vijon:
Ndalim parkimi – Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.