MENU
klinika

Minifutboll

Testi i parë për Europianin, Shqipëria pret sot Malin e Zi

16.02.2024 - 14:09

Ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë e minifutbollit, teksa Kombëtarja kuqezi do të vijojë traditën e përfaqësimeve në evenimentet më prestigjioze ndërkombëtare të këtij sporti.

Shqipëria, siç dihet ka siguruar kualifikimin për në “Euro 2024”, event që do të zhvillohet më datat 1-9 qershor në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, kompeticion zyrtar i organizuar nga Federata Europiane e Minifutbollit (EMF), me pjesëmarrje të 24 përfaqësueseve nga kontinenti i vjetër. Kjo do të jetë eksperienca e tretë e Shqipërisë së minifutbollit në një Kampionat Europian, pas “Ukrainë 2018” dhe “Sllovaki 2022”.

Në kuadër të përgatitjeve për Europianin, ashtu sikurse ishte parashikuar, Shqipëria do të zhvillojë mbrëmjen e sotme edhe miqësoren e parë. Kuqezinjtë do të presin në Tiranë përfaqësuesen e Malit të Zi, sfidë që do të luhet në orën 20:30 në fushën e Laprakës. Si gjithnjë boshti i Shqipërisë, me 12 lojtarë, do të jetë ai i skuadrës Prestige.

Pas këtij testi, Shqipëria do të marrë pjesë edhe në një turne dy ditor në Podgoricë, më datat 31 prill – 1 maj, event ku do të matë forcat me përfaqësueset më elitare të minifutbollit, siç janë Rumania (kampione bote), Azerbajxhani (kampione Europe) dhe vendësit e Malit të Zi. Kujtojmë që vetëm disa muaj më parë Shqipëria për herë të parë në histori mori pjesë edhe në Kampionatin Botëror të Minifutbollit, aktivitet që u mbajt në tetor në Al Ras Khaimah të Emirateve të Bashkuara Arabe.