MENU
klinika

"Do merren masa për të monitoruar mesazhet në gjuhën shqipe!"

TikTok burim vetëvrasjesh në Shqipëri, Rama takim me zv.drejtorin të kompanisë

16.02.2024 - 19:05

Rama është takuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë TikTok, Theo Bertram, me të cilin ka ndarë shqetësimin që ky rrjet social po shkakton në shoqëri.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Mynih në kuadër të Samitit për Sigurinë Globale ku gjatë kësaj kohe ka zhvilluar një vizit edhe në zyrat e Tik Tok ku ka pasur një takim me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram.

Në një postim në rrjetin social “Facebook” Rama shprehet se kanë diskutuar për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Ndër të tjera kreu i shtetit shprehet se është njohur edhe me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.

“Mynih – Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij.

Tik Tok është kthyer prej kohësh në një problem shqetësues për shoqërinë, ku shpesh kthehen edhe në “terren” për zhvillimin e sherreve e konflikteve, që kanë përfunduar deri në vrasje.

Rasti më i freskët është rasti i vetëvrasajes së 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës, pas bullizimit që i bëhej përmes një llogarie me emrin e saj në “Tik Tok” dhe i vetëvrasjes së Sibela Abedinit në Kamëz.