Analisti Andi Bushati ka folur për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë.
Sipas analistit, Blinken ishte i qartë në mbështetjen që dha për qeverinë aktuale.
“Në historinë e këtij vendi, Antony Blinken do ngelet si njeriu që me dekretin e non-gratës e përçau dhe masakroi opozitën shqiptare, duke bërë të mundur që përmes këtij masakrimi, të përfundonte kurbën e instalimit të një regjimi autokratik. Askush të mos kishte iluzione se Blinken do i jepte një bombol oksigjeni opozitës.
I vetmi lajm ishte njëlloj suporti për regjimin e Ramës.
Të mos kemi iluzione, autokracia shqiptare është një autokraci e mbështetur fuqimisht nga administrata amerikane. Nuk përbën një sakrilegj, Amerika është shquar që për interesa të saj ka mbështetur diktatorë dhe regjime diktatoriale”, tha Bushati.
Ndër të tjera analisti foli edhe për krijimin e frontit të partive opozitare.
“Padyshim sa më shumë faktorë opozitarë të bashkohen, askush nuk mund të thotë se është lajm negativ.
Por problemi themelor i opozitës në Shqipëri është bashkimi i faktorëve të rinj, sepse këta faktorë që pamë sot kanë qenë edhe përpara të bashkuar, por të gjithë i dimë rezultatet që kanë arritur të gjithë bashkë.
Me bashkim të rinj nënkuptojmë shtimin e faktorëve të rinj që sot nuk i kemi. Natyrisht e di që në zgjedhën e një regjimi, të afrosh njerëz të rinj përballë kërcënimeve, shantazhit, presionit nga patronazhistët dhe strukturat e regjimit, është e vështirë. Por duhet pranuar se pa figura të reja, çdo bashkim na çon aty ku ishim,” tha Bushati në Syri Tv.