Ukraina, Izraeli dhe Tajvani do të duhet të presin shumë më gjatë për dërgimin e armëve amerikane. Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit ka nisur pushimet, të cilat do të zgjasin deri më 28 shkurt.
Vendimi u mor nga kryetari republikan Mike Johnson, i kritikuar ashpër nga Shtëpia e Bardhë për mos votim të paketës së ndihmës ushtarake për aleatët amerikanë të miratuar në Senat të enjten përpara se të dekretohej fillimi i pushimeve.
Zëdhënësi i 1600 Pennsylvania Avenue Andrew Bates tha se “çdo ditë Johnson bën që siguria jonë të përkeqësohet, Amerika humbet. Dhe çdo ditë ai e shtyn votimin, reputacioni i republikanëve të Kongresit te populli amerikan bie ndjeshëm.”
Ai shtoi gjithashtu se kryetari i Dhomës “e preu kordonin, në vend që t’i jepte fund politizimit të sigurisë së vendit” dhe se ” ai vazhdon të forcojë përpjekjet vrastare të Rusisë për luftë dhe regjimin iranian”.
Këto janë akuza shumë të rënda, të cilave Mike Johnson iu përgjigj duke deklaruar se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë i mohuan atij një takim me presidentin Joe Biden dhe duke i cilësuar kritikat si “jo shumë serioze”.
Për muaj të tërë, paketat jetike të ndihmës për Ukrainën janë zhytur në “baltën” e ngërçit politik në Kongres. Vonesa e mëtejshme në dërgimin e pajisjeve mund të ketë pasoja katastrofike për Kievin.
Ushtria ukrainase në fakt po përballet me një mungesë serioze municionesh dhe sulme të ripërtërira ruse kundër Avdiivka, një qytet kështjellë dhe një pikë e nxehtë në front.
Sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, ekziston rreziku që bastioni të vihet nën kontrollin e Moskës ” pasi rusët ushtrojnë presion të përditshëm “në pozicionet e mbrojtësve”.