MENU
klinika

Si OKB dhe “pesëshja europiane” kanë shuar shpresat e Prishtinës

16 vite shtet, Kosova ende “peng” i ndërkombëtarëve

19.02.2024 - 11:42

Më 17 shkurt 2008, fishekzjarret jehonin mbi qiellin e Prishtinës. Ata vallëzuan dhe kënduan për të festuar pavarësinë e saposhpallur, ndërsa në Beograd pati protesta, me erë të fortë gazi lotsjellës në ajër dhe përplasje të ashpra mes demonstruesve dhe policisë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, betejat politike vazhdojnë ende: Prishtina kërkon njohje reciproke, të cilën Beogradi e refuzon kategorikisht dhe e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. “Nuk ka vetëm një kriter vendimtar dhe “gjyqtar përfundimtar” që tregon qartë se një vend është plotësisht i pavarur,” i tha BBC në serbisht Peter Hilpold, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Insbrukut. Megjithatë, ai beson se “statusi aktual i Kosovës përbëhet nga shumë elementë karakteristikë të një shteti të pavarur, sovran”, edhe pse “Kosova ende nuk e ka fituar plotësisht atë status”. Si pengesën kryesore, Richard Kaplan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Kolegjin Linacre, Universiteti i Oksfordit, thekson mungesën e njohjes universale të Kosovës, e cila ende nuk është pjesë e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht Kombeve të Bashkuara (OKB).

Njohja e Kosovës

Që nga viti 2008, Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankës Botërore, FIFA-s dhe UEFA-s dhe njihet nga rreth 100 vende, duke përfshirë pjesën më të madhe të Perëndimit. Megjithatë, ajo shoqëri nuk përfshin pesë anëtarë të Bashkimit Evropian (BE), si dhe disa fuqi botërore, si Rusia, Kina, Brazili dhe India. Njohja e fundit e Izraelit është në vitin 2020. Megjithatë, nuk dihet saktësisht se sa shtete e kanë njohur Kosovën. Prishtina citon shifrën prej 117, ndërsa në Beograd thonë se janë shumë më pak. Siç thotë Fatmir Seholi nga Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë, për BBC në serbisht, “është veçanërisht e rëndësishme që Kosova të njihet nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë: Greqia, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Spanja. “Disa vende nuk e njohin Kosovën për shkak të frikës nga lëvizjet secesioniste në vendet e tyre, por disa prej tyre nuk e bënë këtë vetëm sepse ndjekin Serbinë,” thotë Jessica Almkvist, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare.

Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara

Së bashku me Kombet e Bashkuara, sot Kosova nuk është pjesë e Interpolit, një organizatë ndërkombëtare policore, si dhe e UNESCO-s, e cila merret me arsim, shkencë dhe kulturë në OKB. Në fund të vitit 2022 edhe Prishtina ka paraqitur kërkesë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, gjë që ende nuk ka ndodhur. Mirëpo, ndërkohë ajo mori regjim pa viza për vendet e BE-së , dhe është në proces kandidature për Këshillin e Evropës. Vendimi duhet të merret në maj, dhe vendi duket se ka shanse reale për dritën jeshile. Kosova bën pjesë kryesisht në institucionet financiare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Progres i madh është bërë edhe në planin sportiv.

Njohja nga Beogradi

“Në rastin e shkëputjes, në të kaluarën zakonisht konsiderohej se njohja e shtetit të mëparshëm ishte e nevojshme për të fituar pavarësinë e plotë,” thotë Peter Hilpold, nga Universiteti i Insbrukut. Në këtë kuptim, ai beson se çështja e pavarësisë së plotë të Kosovës “në masë të madhe do të varet nga sa do të jetë e mundur të gjendet një marrëveshje me Serbinë që do të zgjidhte çështjet e hapura”. Richard Kaplan thekson se amini i Serbisë do të çonte në një sërë njohjesh të reja, kryesisht nga Rusia, India dhe pesë anëtarë të BE-së. “Në këtë kuptim, njohja e Beogradit do të çonte në daljen e Kosovës nga harresa diplomatike, edhe pse Kosova tashmë e ka arritur pavarësinë”, beson ai. Një tjetër mundësi është anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Nëse kjo ndodh, Prishtinës nuk do t’i interesojë se çfarë mendon Beogradi për gjithçka. Megjithatë, profesori i historisë moderne Ingimundarson thekson se historia është plot me “politikanë kokëfortë që ndryshuan mendje në një moment për të arritur marrëveshje historike”, rast që s’duhet përjashtuar për Kosovën.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!