MENU
klinika

Poeti i këngës kryengritëse

Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar

20.02.2024 - 14:00

Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar, ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte ba, dhe për të cilën ai shkoi në litar 10 gushtin e vitit 1988, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë, kumtit krijues, me të cilin ai këndoi dhe u ndesh me një prej bishave më të zezonta.

I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhnjyes të poetit, i zanit të paepur të një shpirti që s’diti të jepej, ishte ai, Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar. Poeti që luftoi komunizmin me penë dhe guxim. Ishte ndër ata intelektualë, që parapriu një lufte, përleshjesh të shpirtshme me fjalë dhe vargje, të cilën besonin idealistët dhe prej së cilës komunizmi druhej më shumë se djalli nga temjani. Ai ishte poet po kaq sa mësues, besonte te idealet njëjt sa te liria dhe nuk mund të kuptosh këtë epje vetëflijuese pa atë lartësim dhe fisnikërim shenjtërimi që ai mëkoi deri në natën kobzezë të litarit. Ai u ngjit në trekëmbëshin e vdekjes si në kryqin e përjetësisë së Hyut, për të qenë ndër martirët e dritës dhe dijes, poezisë dhe gjëmimit të shpirtit.

Më 20 shkurt të vitit 1934 një e qarë fëmije do të këndellte një tjetërqysh kreaturë jetësimi në qiellin e rrëzuar mbi pullazet e majeve në Kollovozin të Kukësit. Një shkulm flakadani do të gjëmonte në oxhakun e asaj votre, tuj ysht një të shtënë lumnie që theri përmes terrin e asaj nate kumtimi dlirësie. Rrokullima e viteve do të derdhej në shtatin e një shuguruesi, si një dritë që lëshohet nadjve tuj përla me jetësim tançka rrok pamja. Një kapërthim përjetimi të stuhishëm do t’i kridhej në hov kësaj zemre flakatare. E në të mbramë të trishtë do ta kishte t’fikumen e frymës. Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti bashmë me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerzisë, kësoane e gjithsekund. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.

As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallzore e dora e gjakut të prishun.

Lirinë kishte krejtçka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.

Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.

Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbinshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq.

Kush ishte ky gjëmim

Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Ndoshta fëmijëria e tij e asaj ndërkohje s’do të kishte shumë më tepër gjana për të kumtu, ngase ai i tha me za e me vepëri në të gjallët e tij. Të themeltë e kish në vete shpirtin e kryengritjes, vullnesën e jetësimit deri në të mbrame të frymës që kishte. Tuj met jetim qysh në moshën 9-vjeçare, atij i’u lëshu në shpinën e njomë torba e randë e shtegtarit. U kalit në mundime dhe heka ky kurm që gjaku e shndrroi në pishtar.

Individi i kolektivizuar më shumë se një absurd që shakadahej në batakun e reales surreale, ishte për Havzi Nelën një ngadhnjim kryerendës, një domosdo për të reaguar që në krye të herës. Rebelimi kundër së keqes ishte gjaku dhe mishi që veshi, jetësoi ky bir nane.

Golgota e dijenxënies dhe e mësuesit

Edhe vetë kalvari i dijenxënies është jo më pak rrëfimtar i kacafytjes që kalli mbi këtë kurm drite paradoksi i asokohshëm. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Krejt rrëfimtaria e tij jetësore është një rrugëtim nëpër natë nën qiellin e gërmushin vetëtimash. Zgjaton lëngueshëm ai kortezh i të gjallëve të mësuesit dhe poetit, individit që ngiste nëpër teh të rrezikut me kap fillin e dritimit të perëndishëm, të njeriut me ëndrra qiejsh të kjart.

Duke kqyr turraz nëpër faqet e të shkumes mundena me kumtu se Havzi Nela gurëthemelin e dijes e hodhi në qytetin e Shkodrës, prejku u dëbua si element destruktiv. Pas do vitesh i jepet mësuesisë në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat në rrethin e Matit. As këtu nuk i zan kambët dhe këti ngulmi zjarmtar. Te e vona ai i kthehet sërish Shkodrës me i përmbyll studimet, kësohere me korrespondencë. Kruma, Lojmja, Shishtaveci, Topojan janë këto toponimet e dijedhënies së poetit. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi dritëlëshues, një pal sy ferri do të qepeshin përmbas, ngado. Golgota e mundimeve do të lëshonte britmën. Ai nis të marrjet hera-herash në paraburgim.

Kalvari i martirit

Dhe vjen dekiku i përballjes dhëmb për dhëmb. “Shko dallëndyshe” të Filip Shiroka, bahet “Lamtumira zemërplasun” e Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij, Lavdie. Ai arratiset për me sos në Kosovë, më 26 prill 1967. Një gërmushje ndjellakeqe e pret me “pushkë për faqe”. Ndalohet dhe merret në pyetje në një hotel në Prizren. Më 6 maj të po atij viti burrë e grua këmbehen në Morinë me shqiptarë të Kosovës, të cilët i dorëzohen UDB-së famëkeqe nga pala shqiptare.

Kalvari i trishtë nëpër të cilën rendi ky liberator, zgjaton që nga Elbasani, Vlora, Spaçi, Burreli, Ballshi, Qafë Bari. Nëpër zgafellat më makabre të diktaturës i kaploi 20 vitet e jetës së tij. Nëpër tmerrin më të mraztë e gërmëzoi gjithkohjen e kushtrimit të tij, poeti martir. Tinëz e thuri qiellin shkrepimtar të poetit, Havzi Nela në qeli. Në fletushka nëpër terrin e frikës dhë përgjimit e ngriti varg pas vargu e metaforë pas metaforë zjarmin e lirikës.

Havzi Nela, dhe kjo ndërmendje në përvjetorin e lindjes, behin kushtrues në të tashmen e një demokracie që hiqet zvarrë si një shtazë e plagume. Edhe të rrokte të gjallët e tij, të mraztë do ta kishte poeti paqen nën peshën e të pamundunes, që mruhet në maxhën e zhgënjimit. Të trishtë do ta ndjente të tashmën e zorshme të vlerave të përmbysta, kurmi i lënguem i atij shtati që sfidoi me qëndresën në kalvarët e terratisë. Rrno ndër ne Havzi Nela, në trajtën e një kujtese ngjethëse, një dlirësie shuguruese, një gjithëkohje kushtruese, rrno me dëshmu me mbamendjen tande të ngjyme në gjak lirie./ Nga Albert Vataj

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët