‘Tregu i huaj për momentin nuk na zëvendëson’, shprehet eksperti për çështjet e punësimit Erald Pashaj.
Boshllëku i krijuar në bizneset vendase të cilët po përballen me mungesë punonjësish, nuk mbushet me të huajt, edhe pse në Shqipëri prej vitit 2019-2022 kanë marrë leje qëndrimi për arsye pune 10.752 të huaj.
“Është e panjohur në teorinë ekonomike largimi nga një vend i varfër në një vend relativisht të varfër, nuk ka interes, sepse tentohet të shkohet në një vend që është në mesin e Evropës ose më lart. Aktualisht kemi një numër shumë të papërfillshëm të huajsh në tregun e punës, nuk është kjo punë me vetëm 10 mijë të huajsh me leje qëndrimi”, pohon eksperti Pashaj.
Përveç mundësive ekonomike Erald Pashaj thekson se vendi sot nuk po kërkon vetëm punonjës të thjeshtë por kërkohen të kualifikuar, kriter i cili nuk plotësohet nga pjesa më e madhe e të huajve që vijnë në Shqipëri, e që janë nga vendet e Afrikës.
Referuar një analize të bërë nga ministria e Brendshme pjesa më e madhe e shtetasve të huaj janë punësuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimi ushqimor, në industrinë përpunuese e tekstileve.
Eksperti thotë se vendit i duhet një reformë me lehtësira fiskale, me projekte punësimi dhe masa të tjera për të frenuar emigrimin dhe jo të presim efekte pozitive nga tregu i huaj.
“Emigracioni sot ndikon vetëm negativisht. Nëse përpara 20 viteve ndikonte pozitivisht nga remitancat apo njohuritë që merrnin në emigracion, ndërsa sot emigrimi është një plagë shumë e madhe për ekonominë, për konsumin, për uljen e nivelit të demokracisë dhe për të gjitha. Është e çuditshme se si largohen edhe ata persona që janë mirë ekonomikisht. Kjo nuk ndodh në vende të tjera, këtu është masive. Këtu personat që i dërgojnë fëmijët jashtë për studime, ju thonë mos u ktheni, nuk ndodh në vende të tjera”, tha eksperti.
Aktualisht bizneset vendase kërkojnë mbi 6 mijë punonjës në profesione të ndryshime, por 30% e tyre duhet me arsim të lartë, dhe ka shtim të kërkesave për profesionistë të teknologjisë së informacionit, të sektorit të turizmit, zanatçinj, mësues, mjekë dhe persona të pakualifikuar.