Detaje horror janë zbardhur nga krimi në fmailje që tronditi sot qytetin e Durrësit dhe jo vetëm, ku 19-vjeçarja Hygerta Meta dyshohet se ka vrarë babain e saj, Pëllumb Meta pasi ky i fundit donte që ta fejonte me një djalë nga fshati i saj, Shënavlash, por që ishte emigrant.
Vajza mësohet se ishte studente në vitin e parë në Ekonomi-Biznes dhe nuk pranonte që të fejohej, pasi donte të vazhdonte shkollën.
Pasi e ka vrarë babain, Hygerta Meta e mblodhi me qese plastike 50-vjeçarin Pëllumb Meta.
Ky i fundi punonte roje në tregun e makinave.
Hetimet për gjetjen e 50-vjeçarit kanë nisur pasi kallëzimit të djalit se babai ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer policia u vu në lëvizje.
Vrasja ka ndodhur më 13 shkurt, gjatë hetimeve agjentët gjetën makinën e tij në sektorin Rinia të braktisur.
Këtu nisën dhe dyshimet e para për fatin e burrit.
Disa familjarë janë marrë në pyetje, deri kur vajza ka pranuar autorësinë e krimit. Ajo ka deklaruar se e ka vrarë të atin, e kishte lidhur, mbështjellë me batanije dhe varrosur të kasollja e lopës.
Ka qenë 19-vjeçarja Hygerta Meta që ja tregoi policisë vendin se ku gjendej babai i vdekur.
Familja përbëhet nga 2 prindërit, 4 fëmijë prej të cilëve 2 djem dhe 2 vajza.
Si ndodhi ngjarja
50-vjeçari u gjet i vrarë dhe i varrosur në shtëpinë e tij, një krim për të cilin policia ka vënë në pranga të bijën.
E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili shkoi në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit, pa e ditur që 50-vjeçari ndodhej i varrosur pikërisht brenda rrethimit të banesës së tij.
4 ditë pasi mori denoncimin, policia gjeti fillimisht makinën e 50-vjeçarit të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Në këtë pikë, nën dyshimet se Pëllumb Meta ishte zhdukur policia intensifikoi hetimet dhe arriti të siguronte prova që në fakt treguan se ai ishte vrarë.
19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me armë zjarri. Sipas policisë, ajo e ka pranuar krimin e rëndë dhe ka deklaruar se përveç insistimit për ta fejuar, palët kishin edhe konflikte të tjera familjare. Policia thotë se vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Ndërkohë, trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur nga shtëpia e tij dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, Pëllumb Meta 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të. Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të Pëllumb Metës, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.
Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së Pëllumb Metës. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur. Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme”, tha policia e Durrësit në njoftimin e saj për mediat.