Një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik mëngjesin e sotëm, ku 50-vjeçari Pëllumb Meta, i denoncuar i humbur prej 10 ditësh nga familjarët e vet, është vrarë me armë zjarri nga e bija e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta e cila më pas e ka groposur në oborrin e banesë.
Ndërkohë, është siguruar një tjetër pjesë nga dëshmia e dhënë në polici nga 19-vjeçarja, e cila ka pranuar autorësinë e krimit që pretendon se e ka kryer e vetme, pas konflikteve të vazhdueshme me babanë që kërkonte ta fejonte pa dëshirën e saj.
“Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë”, ka dëshmuar e reja, duke thënë se kishte vetëm dy opsione: ose të arratisej, ose ta vriste të atin.
“Babain e vrava se donte të më martonte me dikë që unë as nuk e doja. Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë. Unë planifikova se si mund të shpëtoja nga kjo fejesë. E vetmja mënyrë ishte ose të arratisesha nga shtëpia ose të vrisja babain”, mësohet të ketë deklaruar ajo.
Sa i përket ditës së krimit, 19-vjeçarja u tha hetuesve se babë e bijë ishin vetëm në shtëpi dhe mohoi ta ketë ndihmuar dikush tjetër.
“Një ditë nisëm të debatonim prap kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frike mos më fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait. Pasi e varrosa në afërsi të banesës mendova se edhe policia e besoi se ai ishte zhdukur. Unë e kam kryere e vetme krimin, nuk më ka ndihmuar askush”, ka deklaruar 19-vjeçarja.
Hygerta Meta pretendon se e ekzekutoi të atin në katin e dytë të shtëpisë e më pas e mbështolli me qese dhe e çoi në kasollen që ndodhej në oborr, duke e groposur. Por hetuesit dyshojnë se ajo mund të jetë ndihmuar nga familjarët e tjerë, kjo edhe për shkak se 50-vjeçari ishte trup i madh. Trupi i Pëllumb Metës u zbulua mëngjesin e kësaj të premteje, 10 ditë pasi djali i madh i familjes e denoncoi atë të zhdukur. Pritet që ekspertiza të përcaktojë ditën kur u vra 50-vjeçari.
Si u zbulua vrasja e 50-vjeçarit, Pëllumb Meta?
Familjarët kishin denoncuar prej 10 ditësh zhdukjen e 50-vjeçarit, teksa fillimisht u gjet e braktisur rreth 200 metra larg shtëpisë makina e 50-vjeçarit.
Në pyetje janë marrë shumë persona dhe më pas u konkludua se 50-vjeçari u vra dhe u varros nga e bija.
Ka qenë zbulimi i sinjalit të telefonit të 50-vjeçarit, ai që ka zbuluar edhe krimin.
Më pas ekspertiza mjekoligjore ka zhvarrosur trupin e 50-vjeçarin i cili është gjetur i mumifikuar.
19-vjeçarja ka marrë përsipër krimin dhe ka thënë se e vrau të atin pasi ai donte ta fejonte pa dëshirën e saj, ndërsa ajo donte të vazhdonte shkollën.
Dyshohet nga policia dhe po vijojnë hetimet se 19-vjeçarja mund të ketë pasur një bashkëpunëtor, pasi referuar dinamikës së krimit, vrasja, lidhja me litarë dhe qese, sipas policisë është një proces i pamundur për t’u kryer e vetme nga 19-vjeçarja.
Pas ngjarjes së rëndë, familja ka vijuar aktivitetin normal, dhe vajza ka vijuar jetën me një qetësi maksimale pa dhënë përshtypjen se në familjen e tyre kishte ndodhur një krim.