Nuk di pse Mond Spaho, është kursyer në kushtin që i ka vënë socialistëve për të miratuar amnistinë fiskale. Sipas asaj që është bërë publike, i ka kërkuar bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Elektorale.
Siç e dimë të gjithë, posti i bashkëkryetarit është procedurial dhe njëri i përket grupit opozitar zyrtar. Pra në thelb debati është procedurë ligjore dhe jo politike.
Për procedurë ligjore, ai më mirë të kërkonte lirimin e Sali Berishës në gjendje të lirë dhe jo brenda shtëpisë. Edi Rama nuk e ka në dore si të bindë gjykatën që Berisha të jetë i lirë, por e ka më lehtë ta bëjë me amnisti. Madje kjo është më e lehtë se sa të bindësh gjykatën që nuk është Lulzim Basha kryetar i PD, po Sali Berisha. Siç e do Mond Spaho.
Ndërkohë rrugës mund t’i dalin dhe halle të tjera dhe mund t’i vërë dhe ato si kusht për të votuar amnistinë.
Amnistia nuk është një hall socialistësh. Madje më së paku është një hall socialistësh. Amnistia është një problem social, dhe votat për të mund të bashkohen edhe përmes kushteve, por kushte që kanë të bëjnë me amnistinë.
Fjala vjen, PD çoi një draft amendamentesh që kërkonte gjëra brenda amnistisë. Të njëjtën gjë mund ta bëjë zyrtarisht dhe Rithemelimi.
Por të kthesh në problem kombëtar pse nuk është Bylykbashi bashkëkryetar, sipas ligjit, por Alibeaj dhe çdo debat politik ta kushtëzosh me të, do të thotë ta trajtosh tamam veten si vulëhumbur.
Socialistët e kanë aq me nge punën e amnistisë, sa më mirë e kanë që të mos bëhet, që herë pas here t’u thonë atyre që mbahen në burg se ne deshëm t’u lironim po ja ky Mond Spaho do të bëjë kryetar Bylykbashin, kurse ky tjetri do të mos falen këta të 8 janarit me qysqi në dorë.
Pra socialistët e kanë amnistinë një rast për të banalizuar qëndrimet politike të kundërshtarit. Dhe nuk është mirë të vësh kushte për një nisëm që nuk është hall i tyre.
Ata mund t’i kapësh ngushtë kur duan të ndryshojnë ndonjë Kod apo ligj për interesa elektorale, por jo për një amnisti.
Një debat si ky tregon se sa të përgatitur janë kundërshtarët e amnistisë për ta kundërshtuar atë. Se amnistia kundërshtohet për gjerësinë e faljes, për cilësinë e faljes apo për vijat e kuqe që mund të shkelen.
Nuk shkëmbehen të burgosurit me Bylykbashin. Se ai dhe kështu në burg është aty ku është. Plus i kanë shtuar në qeli dhe Gaz Bardhin.