Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve kanë njohur një rritje të fortë gjatë muajit nëntor. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare,për 11 muaj kompanitë e sigurimeve kanë paguar dëme në vlerën e afro 6.2 miliardë lekëve, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Muaji nëntor ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme, po të kemi parasysh se deri në fund të tetorit vlera e dëmeve të paguara ishte në rënie me 4% krahasuar me vitin 2017. Gjatë nëntorit, rritja duket se ka ardhur nga dëme në vlera të mëdha të paguara në klasën e sigurimit ndja zjarrit dhe forcave të natyrës.
Dëmet në këtë klasë rezultojnë të jenë rritur me 780% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe ka arritur vlerën totale të afro 1.5 miliardë lekëve.
Me shumë të ngjarë, bëhet fjalë për një numër të kufizuar rastesh sigurimi, ndoshta një dëm i vetëm, që ka pasur vlerë shumë të madhe mbulimi. Përgjithësisht, këto raste janë sigurime të bëra nga bizneset për të mbrojtur aktivitetin e tyre nga forcat e natyrës.
Një pjesë të konsiderueshme të dëmeve totale e zënë ato të paguara nga Fondi i Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve.
Fondi i Kompensimit paguan dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara dhe ndër vite kisghte akumuluar vler atë mëdha të dëmeve të papaguara. Pas presionit të madh nga AMF dhe nga Komisioni Kuvendor i Ekonomisë, këtë vit dëmet e paguara nga Fondi i Kompensimit janë rritur me 38%.