Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka folur rreth Aministisë Penale.
Sipas Açkës, amnistia nuk duhet të prekë reformën në drejtësi duke falur vepra penale që po hetohen nga GJKKO.
“PS po përpiqet të peshkojë vota për amnistinë penale. Amnistia mos të prekë reformën në drejtësi. Amnistia duhet të vijë me konsensus të plotë. Kjo nënkupton se reforma në drejtësi ka probleme me aplikimin e saj. Tërheqja e amnistisë ndodhi nga prapaskenat e ‘peshkimit’ të deputetëve. Nëse mazhoranca ka nisur të peshkojë, shumë mirë të vijojë. Nëse ka deputetë që shesin dinjitetin e tyre për të bërë votat me mazhorancën, le ta bëjë. Ne jemi pro amnistisë penale, por me kushte. Kushtet tona janë që të amnistohen protestuesit dhe të mos ketë asnjë ulje për të dënuarit nga GJKKO. Po amnistojmë dosjet në duart e SPAK, atëherë çfarë kuptimi ka që bëmë reformën në drejtësi? Nuk mund të tronditet SPAK-u. Ne jemi kundër dhunimit të institucioneve të reja të drejtësisë. PD zyrtare do të bëjë transparente votat e saj. Në parlament u votua një ligj i rrezikshëm, si ai i ligjit për zonat e mbrojtura”, tha Açka.
Flutura Açka nënvizoi se është e zhgënjyer nga Gazment Bardhi. Ajo deklaroi se dikush është interesuar që të mjegullojë situatën në Partinë Demokratike.
“Unë jam zhgënjyer nga Gazment Bardhi. Unë nuk e di se çfarë projekti ka pasur, ndoshta ka dështuar me projektin e tij. Në rast se Bardhi ka një ide më të mirë, mund të shkoja dhe në grupin e tij. Projekti i Lulzim Bashës për PD për mua është më i besueshëm. Nuk mund të thuash se ne jemi PD, sepse ne jemi shumica. Kjo është e pandershme dhe e padrejtë. Dikush është i interesuar ta mbajë të mjegullt situatën në Partinë Demokratike. Nëse Lulzim Basha humbet sërish, është e drejta e tij të japë dorëheqjen ose jo”, deklaroi Açka në një intervistë për News 24