Zbardhen prapaskenat e vizitës së presidentit ukrainas në Tiranë….
Mediat e huaja i kanë bërë jehonë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Tiranë. Ka ende shumë pikëpyetje mbi atë që është folur në prapaskenë, por Zelensky lëshoi një deklaratë të fortë, kur njoftoi se ka firmosur një marrëveshje me Ramën për prodhim armësh dhe municioni. Kjo gjë është komentuar në mediat e huaja, të cilat japin sinjale se Shqipëria mund të kthehet në një lloj baze për magazinim apo prodhim municionesh për Ukrainën.
SHBA dhe shumë vende të BE kanë bllokuar armatimin. Biden duhet të marrë miratimin e Kongresit, ndërsa vendet e BE kanë procedura strikte në dërgimin e armëve dhe duket se po synohet të gjendet një shtet jashtë unionit, i cili mund të përdoret si “urë” që të shkojnë armët dhe municionet në Ukrainë. Edhe Blinken në Tiranë duket se për këtë gjë erdhi.
“Zelensky propozoi organizimin e një forumi të mbrojtjes Ukrainë-Ballkan për të nxitur bashkëpunimin në prodhimin e armëve, duke përsëritur iniciativa të ngjashme, të kryera vitin e kaluar me kompanitë e armëve britanike dhe amerikane”, shprehet “Reuters”.
Po ashtu, media të tjera kanë vënë theksin te bllokada e armëve që kanë bërë fuqitë e mëdha, teksa theksohet se në takimin që u mbajt në Francë u përmend fakti se mund të përdoren vende nga jashtë unionit për të mbështetur Ukrainën.
Por, një artikull më të gjerë ka bërë “Ukraina.ru”, e cila analizon arsyet që sollën Zelenskyn në Tiranë. Duke u ndalur te çështja e armëve, ajo përmend së pari Serbinë, e cila është prodhuesi më i madh i armëve në rajon dhe shumë armë të saj shkojnë në Ukrainë. Ndërsa, sa i takon Shqipërisë ka pyetur analistë të ndryshëm, të cilët shprehen se Shqipëria mund t’i ofrojë Ukrainës bazën e saj të Kuçovës, e cila mund të përdoret për trajnime dhe për misione. Po ashtu mund të ofrojë municionet dhe armët e vjetra.
Vendi ynë ka ende shumë fishekë të pademontuar dhe armë që në kohën e komunizmit dhe ato mund të vihen në shërbim të Ukrainës. “Shqipëria po hap bazën ajrore të Kuçovës, të cilën autoritetet e quajnë bazë e NATO-s. Në fakt, bëhet fjalë për një bazë ajrore klasike të ushtrisë amerikane. Shqipëria mund të ofrojë edhe një sasi të caktuar armësh të vjetra që duhen asgjësuar, si shumica e vendeve evropiane që e bëjnë këtë”, ka thënë Demo Berisha, kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve të Serbisë.
Por në takim është folur dhe për diçka tjetër. Sipas deklaratës së zbardhur nga Presidenca Ukrainase, Rama dhe Zelensky kanë folur mbi mundësinë që në Shqipëri të strehohen fëmijët ukrainas të mbetur jetimë apo të plagosur në luftë dhe ushtarët ukrainas po të plagosur, të cilët i nënshtrohen rehabilitimit.
“Presidenti dhe Kryeministri diskutuan nevojat urgjente të mbrojtjes së Ukrainës dhe bashkëpunimin e mëtejshëm në këtë fushë, duke përfshirë prodhimin e përbashkët të armëve.
Kreu i Shtetit u shpreh se shpreson që Shqipëria të presë fëmijët ukrainas dhe të ndihmojë në rehabilitimin e ushtarëve të plagosur ukrainas”, thuhet në deklaratë.
Pra, duket se Shqipëria tani është rreshtuar hapur mes shteteve armike numër një të Rusisë dhe kryeministri na ka futur në një situatë që mund të shoqërohet edhe me pasoja.