MENU
klinika

Takimi në Bruksel, pa rezultat

Vuçiç: Shpresojmë në një zgjidhje për dinarin në ditët në vazhdim

28.02.2024 - 19:38

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se shpreson që, në ditët në vazhdim, të gjendet një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ai tha se, në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, beson se “do të mund të gjendet një zgjidhje jo e mirë”, por që “do të nënkuptonte mbijetesën e qytetarëve serbë në Kosovë”.
Ai nuk dha detaje se si do të mund të dukej ajo.

Nga fillimi i shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi një rregullore, e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Rrjedhimisht, u ndalua edhe përdorimi i dinarit serb – valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë.
Rregullorja nxiti reagime të zemëruara si nga Serbia, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi pezullimin e saj, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve të prekur, që të përshtaten me praktikën e re.
Kjo rregullore ishte temë diskutimesh midis delegacioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, të martën në Bruksel.
Por, ndërmjetësuesi i bisedimeve, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”.
Duke folur për gazetarët në Tiranë, ku mori pjesë në një samit për Ukrainën, Vuçiç tha se “regjimi në Prishtinë nuk do, me asnjë kusht dhe në asnjë mënyrë, sjellje normale ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë”.
“Shpresoj se do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje në ditët në vazhdim”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet.
Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro./Rel

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!