MENU
klinika

Detaje

Çfarë është disekacioni (çarja) e aortës?

28.12.2018 - 21:03

Dr. Blerim Arapi
Departamenti i Anestezi-Reanimacion
Spitali Amerikan Tirane

Disekacioni i aortës është çarja e shtresës së brendshme dhe të mesme të murit të aortës si rezultat i një krize hipertensive në pacient me difekte anatomike të murit të aortës dhe jo vetëm, kalimi i gjakut midis shtresave të aortës.

Aorta është arteria më e madhe në organizmin e njeriut e cila merr gjakun nga zemra dhe e shpërndan në të gjithë trupin. Muri i saj është i ndërtuar nga 3 shtresa që janë të aderuar me njëra-tjetrën në mënyrë jo shumë korrekt dhe mund të krijoj midis tyre një hapsirë ose lumen tjetër jo të vërtetë në situata të veçanta. Shtresa e brendshme e cila quhet intima, shtresa e mesme që ka edhe fibra muskulore media, shtresa e jashtme që është adventitia ose shtresa që mbështjell aortën.

Aorta është një tub nga 2.5 deri 3.5 cm dhe përbehet nga disa pjese;aorta ngjitëse nga valvula e aortës deri ne arteriet karotide, harku i aortës, aorta zbritëse deri tek diagragma dhe aorta abdominale nga diafragma deri tek birfukacioni i arterieve iliake komunis. Çarja pikërisht ndodh te shtresa e brendshme dhe shtresa e mesme, vazhdon midis këtyre 2 shtresave e adventicias, duke formuar atë që quhet porta hyrëse dhe më pas fluksi i gjakut vazhdon midis shtresave duke formuar një lumen fals dhe duke e ngushtuar lumenin e vërtetë. Gjatë rrugës disekuese shtresa e mesme dhe intima mund të çahet përsëri dhe të krijojë atë që quhet porta dalëse. Në të gjithë lumenin mund të krijohen disa rrugë hyrëse dhe dalëse.

Si ka mundësi që pacienti nuk humbet jetën gjatë çarjes së aortës?

Është e vërtetë që jo gjithmonë pacienti me çarje të aortës humbet jetën, por në çdo orë që kalon atij i rritet risku për të humbur jetën. Pacienti arrin të mbijetojë sepse çahet vetëm shtresa e brendshme dhe ajo e mesme, ndërsa reziston e jashtmja e i jep kohë pacientit dhe ekipit mjekësor që të ndërhyjë dhe t’i shpëtojnë jetën. Në rastet më të rënda, kur ndodhë edhe çarja e shtresës së jashtme atëherë pothuajse vdekja është e sigurtë. Çdo ditë që kalon mortaliteti rritet me mbi 10%, duke ditur që me ndodhin e disekacionit, mortaliteti është mbi 50%. Disekacioni i aortës përbën urgjencë të vërtetë kirurgjikale.

Klasifikimi i disekacionit të aortës

Disekacioni i aortës në varësi të portës së hyrjes ndahet në :tipi A, kur porta e hyrjes është para arteries subklavia e majtë dhe tip B, kur porta e hyrjes është në ose pas arteries subclavia dhe gjithashtu mund të jenë tip A dhe tip B njëkohësisht kur kemi portë hyrëse në aortën ascendete dhe porta të tjera rihyrëse pas arteries subclavie të majtë. Ky klasifikim anatomik është i rëndësishëm për shkak sepse ndikon edhe në trajtim.

Klinika e disekacionit

Në varësi të vendndodhjes anatomike kemi dhe klinikën:
-dhimbje të forta retrosternale të cilat imitojnë infarktin akut të miokardit, kjo dhimbje fillon në
momentin që ndodh disekacioni, gjithashtu dhimbja ka karakter zbritës në pjesën e pasme të shpinës që shoqëron vazhdimin e disekacionit. Dhimbja mund të ketë karakterin e kolikave renale ose atyre abdominale ose të infarktit akut të miokardit për shkak të disekimit të arterieve respektivisht a.renale, trunkut celiak ose a.koronare. Në disa raste mund të kemi dhimbje të qafës kur kemi disekim të arterieve karotide, shoqëruar me aksidente cerebrovaskulare. (Është termi mjekësor për një goditje. Një goditje është kur rrjedhja e gjakut në një pjesë të trurit tuaj ndalohet ose nga një bllokim.)
-hipertension;
-hipotension;
-dispne, vështirësi në frymëmarrje si rezultat i rupturës se aortës dhe drenimit në hapësirën pleurale;
-djersitje;
-ankth;
-aritmi;
-hemoptizi (kollë me rrema gjaku).

Diagnoza diferenciale

Diagnoza diferenciale e disekacionit të aortës bëhet me:

-IAM ,infarktin akut të miokardit
-EP Embolin pulmonare
-PMX, pneumotoraksin
-Spazmat dhe rupturën e ezofagut
-demtimet korozive të ezofagut
-Pickimet nga disa insekte, të cilët kanë helme të fuqishëm që japin dhimbje të forta nga spazmat muskulare
-kolikat abdominal
-Iskemia intestinale
-pankreatiti akut
-perforacioni i stomakut
-peritonitis
-infaktin splenik

Diagnoza e disekacionit të aortës

Diagnoza e disekacionit të aortës mbështetet mbi shenjat klinike si: dhimbja, karakteri i saj dhe pas klinikës, është ekografia që mund të dalloj portën hyrëse, ndihmëse mund të jetë edhe rentgenografia e thjeshtë. Standardi i artë për diagnozën e disekacionit është Angio CT e aortës në të gjitha rastet e dyshuara.

Menaxhimi i Disekacionit

Menaxhimi i disekacionit të aortës është i mbështetur në varësi të tipit:
Tipi A trajtim kirurgjikale me zëvendësim të aortës ngjitëse me gjithë harkun e saj me apo pa zëvendësim të valvulës së aortes sa më parë.
Tipi B trajtim me endoproteze (TEVAR procedurë) në koronarografi.
Në rastet e kombinuara bëhet procedure hibride në salla hibride, kirurgji vaskulare +TEVAR procedure.
Menaxhimi i parë sapo diagnostikohet është mbajtja e presioneve sa më të ulëta për të prevenuar vazhdimin e disekimit apo rupturës së aortës në terapinë intensive deri sa pacienti përgatitet për intervent. Ky lloj menaxhimi bëhet nëpërmjet ndjekjes së rreptë në mënyrë invazive të presionit.

Shkaqet e disekacionit

– Bikuspidia e valvulese së aortës, zakonisht njerëzit e kaneë me 3 kuspise valvulën e aortës ndërsa në bikuspidi është me 2;
-Marfan sindrom (difekt gjenetik);
-Hipertension malinj si në feokromacitoma (tumor i palcës së gjëndrës mbiveshkore), hipertiroidizem, diabet;
-defekte të lindura të murit të aortës;
-Aneurizma e aortës ascendente (ngjitëse);
-Aneurizma e aortës abdominale;
-Sëmundjet inflamatore të aortës;
-Sëmundjet infektive të murit të aortës;
-Insuficiencën e valvulës së aortës.

Komplikacionet e disekacionit të aortës:

-Vdekja e papritur;
-IAM infarkti akut i miokardit si rezultat i disekimit të arterieve koronare;
-AVC aksidentet cerebrovaskulare;
-Hemotoraks (është një lloj i rrjedhjes pleurale në të cilën gjaku grumbullohet në zgavrën pleurale);
-Iskemi e zorrës nga disekimi i trungut celiak;
-Iskemi të veshkave;
-Iskemi të ansive inferiore.

Prevenimi i disekacionit të aortës

Është e mundshme që disekacioni i aortës të prevenohet nëpërmjet diagnozës se hershme të sindromave të lindura të murit dhe valvulës së aortës. Diagnostikimi bëhet nëpërmjet testeve klinike, imazherike, laboratorike, matjeve dhe menaxhimit korrekt të presionit arterial, korrigjimit të hershëm të defekteve të aortës në mënyrë kirurgjikale apo me divajse .