MENU
klinika

Trupat e NATO-s në Ukrainë?

Macron alarmon sërish Perëndimin: Fjalët e mia të peshuara dhe të llogaritura mirë!

29.02.2024 - 19:55

Edhe pse shumë media e quajtën më shumë si një provokim, sesa një plan të mirëfilltë, ditën e sotme Macron ri konfirmoi idenë e tij të guximshme.

Presidenti francez, Emmanuel Macron “tronditi” botën pak ditë më parë, ku propozoi dërgimin e trupave të NATO-së në Ukrainë, duke nxitur konfuzion te aleatët dhe reagim të ashpër nga Rusia.

Edhe pse shumë media e quajtën më shumë si një provokim, sesa një plan të mirëfilltë, ditën e sotme Macron ri konfirmoi idenë e tij të guximshme. Gjatë një vizite në fshatin e ardhshëm olimpik në periferi të Parisit, Macron u pyet nga gazetarët për deklaratën e tij.

Ky i fundit u shpreh tepër i bindur në atë që kishte thënë, teksa theksoi se fjalët që tha gjatë takimit në Paris ishin të peshuara dhe mirë menduara.

“Këto janë tema mjaft serioze. Çdo fjalë e imja për këtë çështje është e peshuar, e menduar dhe e llogaritur”, u tha ai gazetarëve, gjatë inagurimit të fashtit të ardhshëm olimpik në Paris.

Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit u përmbajt nga çdo “koment gjeopolitik” në këtë drejtim, duke bërë thirrje kundër miksimit të çështjes së Ukrainës me tema të tjera.

Mos tërheqja e Macron nga këto deklarata, ngre dyshime se një plan për dërgimin e ushtarëve të NATO-së në Ukrainë ekziston, ose po punohet për të.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm i Francës, Stéphane Sejourne i cili sugjeroi që vendet perëndimore të shqyrtojnë idenë që trupat e NATO-s të dislokohen në Ukrainë në role jo luftarake për të ndihmuar Ukrainën.

Sejourne tha dje në parlamentin francez se trupat e NATO-s potencialisht mund të dislokohen në Ukrainë për të ndihmuar me role të tilla si “çminimi, operacionet kibernetike ose prodhimi i armëve”, raporton “France 24”.

Deklaratat e këtij të fundit vijnë pasi Macron propozoi më 26 shkurt në një takim në Paris, ku përfaqësuesit e rreth 20 vendeve perëndimore diskutuan mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën në konfliktin me Rusinë, mundësinë e dërgimit të trupave tokësore të vendeve perëndimore në Ukrainë.

Ai theksoi se nuk është arritur konsensus, por një skenar i tillë nuk mund të përjashtohet në të ardhmen.

Pas konferencës, përfaqësuesit e shumicës së vendeve pjesëmarrëse thanë se ata nuk kishin ndërmend të dërgonin trupa në Ukrainë dhe ishin kundër pjesëmarrjes së tyre në operacionet ushtarake kundër Rusisë.

Nga ana tjetër, Rusia kërcënoi se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë do të dërgonte botën në një luftë bërthamore.