Qytetarët grekë nga dita e sotme do të kenë mundësinë të blejnë në raftet e supermarketeve 3000 produkte me çmime më të ulëta.
Në kuadër të masave të Ministrisë së Zhvillimit për ti bërë ballë inflacionit të rritur frikshëm, shporta e ushqimeve bazë për konsumatorin do të jetë deri në 30% më e lirë.
Lista e ushqimeve me çmime të ndryshuara përfshin produkte jetëshkurtër, me afat skadence nga 1 deri në 30 ditë, në mënyrë që të mos refuzohen nga industria dhe të mos kthehen për shkatërrim, por të arrijnë te konsumatorët.
Në bazë të rregullave të Ministrisë së Zhvillimit, produktet do të kenë shënimin që tregon se janë me një datë skadence shumë të afërt dhe është përcaktuar periudha e saktë kohore para kësaj date, ku lejohet shitja e stokut në një çmim më të ulët, ndërsa në të njëjtën kohë parandalohet shpërdorimi i ushqimit.
Sipas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis qeveria pret ulje të mëtejshme të çmimeve ndërsa me masat e saj synon të vendosë çmime edhe më të përballueshme në rafte, pasi inflacioni duket se po reziston duke goditur familjet e thjeshta helene.
Paraditen e së premtes, ministri i Zhvillimit, Kostas Skrekas, ka kryer kontrolle në supermarkete, duke sqaruar se “çmimet në rafte janë ulur me 15%” për produkte që ai kishte parë.
“Ne nuk do të ndalemi së tentuari për të ulur inflacionin në mënyrë që familjet të shohin çmime më të ulëta në raftet e supermarketeve. Ka një de-përshkallëzim të inflacionit, por ne duam që kjo të ndodhë më shpejt”, tha Skrekas.
Në listën e çmimeve të ulura përveç shportës së ushqimeve bazë janë përfshirë edhe shtatë kategori produktesh që përfshijnë pelenat për fëmijë, shampot, pastat e dhëmbëve, detergjentët e rrobave dhe të enëve, sapunët dhe të gjitha llojet e pastruesve.