Anëtarët e Komisionit të Ligjeve të Partisë Demokratike depozituan sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e ligjit për Komisionet Hetimore. Kërkesa është firmosur nga 33 deputetë të opozitës.
Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja Dhurata Çupi foli për mediat jashtë ambienteve të gjykatës dhe i bëri thirrje Kushtetueses të jetë në lartësinë e integritetin që përfaqëson.
“I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të jetë në lartësinë e integritetin që jep posti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ju kujtoj se nuk janë strukturë e PS-së por është një institucion që duhet të këtë integritetin e institucionit që përfaqësojnë. Ka një praktikë që i njohin të drejtën pakicës parlamentare si instrument kontrollit të pushtetit ekzekutiv”, – tha Çupi.
Kujtojmë se grupi i opozitës është shprehur kundër miratimit të ligjit dhe dekretimit nga presidenti Begaj, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i kërkoi ta kthente në Kuvend për rishqyrtim ligjin.
5 arsyet pse ligji sipas deputetëve të opozitës është antikushtetues:
Në ligjin e miratuar nga socialistët nuk gjejnë reflektim qëndrimet e konsoliduara të Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se Kuvendi, në rast se kërkohet ngritja e një komisioni parlamentar nga një e katërta e deputetëve të Kuvendit, ka detyrimin që të mos ia nënshtrojë debatit parlamentar, por vetëm të diskutojë lidhur me shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Dhe në rast se shumica parlamentare ngre pretendime lidhur me mosrespektimin e parimeve kushtetuese, ajo ka të drejtë t’i propozojë pakicës formulime alternative, deri në arritjen e një konsensusi. Megjithatë, këto propozime alternative nuk mund të jenë të atilla sa të reduktojnë objektin e hetimit deri në atë masë sa t’ia pamundësojë komisionit kryerjen e veprimtarisë së tij.
Mungesa e parashikimeve që shprehin qartë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare kur kërkohet nga numri i përcaktuar në Kushtetutë i deputetëve, si dhe propozimi i formulimeve alternative lidhur me objektin e veprimtarisë nëse vlerësohet se cënohen parime a standarde kushtetuese, i jep mundësi mazhorancës që të vlerësojë në diskrecionin e saj përmbushjen ose jo të këtyre parimeve dhe pa bërë ndonjë përpjekje për të gjetur konsensus, të vendosë rrëzimin e kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore. Praktikisht, nga mënyra e formulimit të dispozitave të sipërcituara, ngritja ose jo e një komisioni hetimor është tërësisht në diskrecionin dhe interpretimin e mazhorancës. Kushtetutbërësi ka pasur për qëllim të shmangë pikërisht këtë lloj diskrecioni, i cili praktikisht e zhbën këtë mekanizëm kontrolli që ka opozita në një shtet demokratik.
Ligji vjen në kundërshtim me një prej qëllimeve kryesore që ka ngritja e një komisioni hetimor të Kuvendit. Konkretisht, komisionet hetimore ngrihen me qëllim njohjen dhe verifikimin e një fenomeni, një ngjarjeje ose një veprimtarie të caktuar. Pra, në thelb të veprimtarisë së komisioneve hetimore qëndron transparenca për median, opinionin publik dhe qytetarët. Shtimi i rasteve të zhvillimit të mbledhjeve me dyer të mbyllura, disa prej tyre mjaft evazive dhe që lënë vend për interpretim të gjërë, vetëm me votat e mazhorancës, vjen në kundërshtim me parimin e transparencës. Kjo pasi, rast pas rasti, anëtarët e mazhorancës do të vlerësojnë kur duhet të bëhet transparencë për aspekte të caktuara të veprimtarisë së komisionit dhe në cilat raste do të veprohet në mungesë transparence.
Ndryshe nga përcaktimi aktual që marrja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve bëhet nga çdo anëtar i komisionit dhe pranohet pa votim, në ligjin e ndryshuar parashikohet që marrja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve të kryhet me vendim të shumicës. Praktikisht, nëpërmjet kësaj dispozite synohet të sanksionohet që provat që do të merren dhe dëshmitarët që thirren të jenë tërësisht në vullnetin e mazhorancës, e cila ka edhe numrin më të madh të anëtarëve në komision. Pra, do të jetë mazhoranca që do të vlerësojë nëse një provë duhet të merret ose jo, apo nëse një dëshmitar duhet të thirret ose jo. Në fakt, një mekanizëm i tillë do ta zhbënte të drejtën e pakicës parlamentare për kryerjen e një hetimi efektiv, pasi të dhënat dhe dëshmitë që do të administroheshin nga komisioni do të ishin tërësisht në diskrecionin e mazhorancës.
Marrja e një autorizimi nga prokuroria ose gjykata është e paprecedentë në asnjë shtet të së drejtës apo shoqëri demokratike, edhe në kontekstin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ashtu siç është shprehur Gjykata Kushtetuese në mënyrë të përsëritur ekzistenca e një procesi penal nuk përbën pengesë për veprimtarinë hetimore të Kuvendit, në kushtet kur qëllimet që ndjekin janë të ndryshme. Nga ana tjetër, dhënia e të drejtës dëshmitarit për të refuzuar përgjigjen në çdo rast që ai vlerëson se vetë apo persona të lidhur me të mund të ekspozohen ndaj hetimeve, mund të përdoret si taktikë nga dëshmitarët apo mbrojtësit e tyre për të refuzuar transparencën dhe llogaridhënien në raport me komisionin hetimor.