MENU
klinika

Nesër mbledhja

Zbardhet formula e bashkimit të Bardhit me Rithemelimin, Berisha ndryshon statutin për nënkryetarin e ri

04.03.2024 - 11:06

Mbledhja e Këshillit Kombëtar që do të zhvillohet pasditen e së martës, do të sjellë ndryshime të rëndësishme, që nga kupola e lartë drejtuese e partisë deri në strukturat më të ulëta.

Gazment Bardhi që prej ditës së nesërme do të jetë nënkryetar i partisë së bashku me Agron Gjekmarkajn, për shkak të pozicionit që mbajnë kryetar grupi dhe nënkryetar Kuvendi.

Në strukturën drejtuese do të përfshihen dhe nënkryetari i grupit, Ervin Salianji dhe kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare në Kuvend, Jorida Tabaku e Zheni Gjergji, Dhurata Çupi, Tomorr Alizoti dhe Ferdinand Xhaferraj.

Deri më tani, ende është i paqartë pozicionimi i Tabakut, nëse do të pranojë ose jo të jetë pjesë e kryesisë së PD-së së drejtuar nga Berisha.

Ata nuk do të votohen as në Kryesi dhe as në Këshillin Kombëtar, por do të bëhen pjesë e strukturave për shkak të pozicioneve që mbajnë në grup dhe Kuvend.

Në kuadër të ndryshimeve statutore, nenet që preken janë ai 51, që përcaktohen se PD ka 2 nënkryetarë, një prej të cilëve është edhe kryetar i grupit parlamentar.

Neni tjetër që ndryshon është edhe ai 47, për përbërjen e kryesisë, ku në pikën 1 të saj, do të futen si anëtarë kryesie edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve.

Ditën e nesërme, një orë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, do të mblidhet kryesia e Partisë, ku do t’i propozohen ndryshimet statutore, që më pas do i kalojnë për miratim Këshillit.

Ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike të Rithemelimit:

Neni 51

Nënkryetarët e Partisë

1. PDSH ka dy nënkryetarë (Katër nënkryetarë) të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të këtij Statuti.

2. Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit Parlamentar.

Neni 47

Kryesia e Partisë

1. Kryesia e Partisë drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe përbëhet nga:

a) Kryetari i Partisë;

b) Dy nënkryetarët e Partisë, (Katër nënkryetarët e Partisë);

c) Sekretari i Përgjithshëm;

d) Kryetari i Këshillit Kombëtar;

e) Njëzet anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, sipas një liste të miratuar në Kryesinë e partisë me propozim të Kryetarit të Partisë ose kandidaturave të mbështetura nga jo më pak se 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Jo më pak se 30% e anëtarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar.

2. Anëtari i Kryesisë nuk mund të mbajë mandat tjetër përveç atyre të parashikuar në gërmat a), b), c) dhe d) të pikës 1 të këtij neni.

(Shtohet pika që anëtarë kryesie janë kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare)

Anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit:

1.     Gazment Bardhi – Kryetar i Grupit Parlamentar

2.     Ervin Salianji – Nënkryetar i Grupit Parlamentar

3.     Agron Gjekmarkaj – Nënkryetar i Kuvendit

4.     Zheni Gjergji – (Kryetare, Komisioni i Shëndetësisë)

5.     Dhurata Çupi – (Zëvendës kryetare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë)

6.     Helidon Bushati – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin)

7.     Tomorr Alizoti – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Politikën e Jashtme)

8.     Ferdidant Xhaferri – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Sigurinë Kombëtare)

9.     Jorida Tabaku – (Kryetare, Komisioni për Çështjet Evropiane)