MENU
klinika

Analiza e qeverisjes

Rama mbledh kabinetin dhe krerët e bashkive të PS-së në Shkodër

05.03.2024 - 17:48

Kryeministri, Edi Rama pritet të mbledhë në fundjavë për një analizë të thelluar kabinetin qeveritar, por edhe drejtuesit politikë dhe krerët socialistë të bashkive.

Parashikohet që kjo analizë, e cila me gjasë do të jetë periodike deri në zgjedhje, do të shërbejë për të verifikuar të gjitha problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por edhe për një raportim të plotë e të detajuar të punës organizative në Partinë Socialiste.

Kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve do të mblidhen në Shkodër, ndërsa pritet që ata të diskutojnë me kryeministrin Rama përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar që u mbajt në Shëngjin në janar.

Në këtë analizë, që ndahet në disa panele, diskutohet edhe për angazhimin direkt në terren të strukturave socialiste, për rigjallërimin e bazës së partisë deri në zgjedhjet e përgjithshme dhe kongresit të jashtëzakonshëm zgjedhor.

Prej disa javësh socialistët kanë zbritur në bazë, në takime me strukturat dhe kanë nisur procesin e zgjerimit në parti dhe fushatën reale të anëtarësimeve të reja.

Kryeministri është shprehur i hapur që të shkohet drejt afrimit në PS edhe të anëtarëve të zhgënjyer nga partitë opozitare.