“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Zgjidhjen për hernien diskale e jep ortopedi apo neurokirurgu?
Mjeku: Trajtimin kirurgjikal të hernies diskale e kryen një kirurg ortoped ose neurokirurg i specializuar në kirurgjinë e kolonës vertebrale. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes se cili specialitet është më i përshtatshëm, duhet theksuar se të dy specialitetet mund të merren në konsideratë.
Kirurgjia ortopedike është e fokusuar në trajtimin e traumës dhe të patologjive muskuloskeletale, si p.sh.: të kolonës vertebrale, artrozat, traumat atletike, tumoret kockore, probleme të dorës apo të artikulacioneve të mëdha te të rriturit dhe fëmijët. Disa ortopedë specializohen ekskluzivisht në trajtimin e problemeve të kolonës ose në fushat e tjera të lartpërmendura. Neurokirurgët janë të fokusuar në diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të trurit, të kolonës vertebrale. Disa neurokirurgë specializohen ekskluzivisht në trajtimin e patologjive të kolonës vertebrale. Kirurgët e të dy specialiteteve të trajnuar në trajtimin e traumës dhe të patologjive të kolonës vertebrale quhen kirurgë spinalë (spine surgeons – në gjuhën anglo-saksone).
Problemet e kolonës vertebrale janë shumë specifike dhe kërkojnë një shkallë të lartë trajnimi bashkëkohor dhe përvoje nga ana e kirurgëve me qëllim që të arrihet maksimumi i pritshmërive. Ky fakt përbën faktorin e parë dhe të vetëm, të kontrollueshëm nga pacienti i cili do t’i nënshtrohet një procedure kirurgjikale në shtyllën kurrizore. Ekzistojnë dhe dy fkatorë të tjerë, të dy të kontrollueshëm nga kirurgu, nga trajnimi dhe përvoja e tij: pacienti i duhur dhe niveli i duhur. Pacienti i duhur në kirurgjinë e kolonës vertebrale nënkupton zgjedhjen e procedurës së saktë për çdo pacient. Nuk mund të funksionojnë të gjitha procedurat njësoj për të gjithë pacientët. Niveli i duhur nënkuptohet realizimi i procedurës kirurgjikale me saktësi. Nëse një prej tre faktorëve: kirurgu i duhur, pacienti i duhur, niveli i duhur nuk vlerësohet nga ana e pacientit apo kirurgut, procedura mund të shkaktojë probleme më të mëdha sesa problemi primar.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.