E përditshmja greke “Kathimerini” sërish i ka kushtuar një artikull dënimit me dy vite burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Në një shkrim me titull “Shteti ligjor shqiptar vihet në dyshim për dënimin e Fredi Belerit”, gazeta greke citon burime nga Ministria e Jashtme e Greqisë, e cila shprehe shqetësim për sundimin e ligjit në Shqipëri.
“Gjykata shqiptare injoroi provat që dobësuan çështjen e prokurorisë dhe se prezumimi i pafajësisë së të pandehurit u rrezikua”, thanë burimet diplomatike, citon media greke.
“Dënimi dy vjeçar është “dukshëm në disproporcion” me krimin dhe mban “peng” kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, ndërkohë që kundërshtari i tij i mundur mbetet në pushtet, pavarësisht një vendimi të mëparshëm gjyqësor që ndalonte një veprim të tillë”, thanë të njëjtat burime.
Vetë Beleri – shkruan Kathimerini- e përshkroi procedurën gjyqësore si një “gjykim të rremë… një dosje penale të rreme, pa prova.
Beleri u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës. Ai u arrestua disa ditë para votimit ndërsa dyshohet se ofroi 40,000 lekë për të blerë tetë vota. Beleri fitoi zgjedhjet, por nuk mundi të betohet pasi ishte në arrest.