Sekretari për Marrëdhënie me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri, në një intervistë televizive, deklaroi se Foltorja është një lëvizje që nuk ka të ardhme. Kulluri tha se Foltorja është përplasur me SHBA-të.
Gjatë intervistës Kulluri nënvizoi se Berisha e ka mbyllur ciklin e vet politik. Sipas tij, për sa kohë që Sali Berisha pretendon të jetë kryetar i PD-së, Partia Demokratike zyrtare nuk do jetë me këtë formë bashkimi.
“Sali Berisha bën betejë me PD-në zyrtare dhe jo me Ramën. Ai 70 përqind të kohës e harxhon me Bashën, duke thënë Ali-Basha, duke na quajtur tradhtar etj. Foltorja është përplasur me SHBA-të. E dini ju cili është kushti që i ka vënë Berisha bashkimit? Kushti është që Berisha të jetë kryetar partie, e PD zyrtare nuk do e pranojë këtë kusht.
Ne e kemi themi se për sa kohë që Berisha pretendon të jetë kryetar i Partisë Demokratike nuk ka bashkim, kaq është e gjitha. Ai grupim nuk ka asnjë projekt politik, i vetmi projekt që kanë është që të rrinë poshtë ballkonit të Berishës dhe të përpiqen ta shpëtojnë atë nga drejtësia. Bashkimi i opozitës duhet të jetë edhe parimor. Sali Berisha ka mbyllur ciklin politik dhe ka një raport jo të mirë me SHBA-të. PD zyrtare do të shënojë një rezultat historik në zgjedhjet e 2025”, deklaroi Kulluri.