Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici thotë se Bitcoin është bërë monedhë më e sigurt, pas lejimit në bursë në SHBA dhe pranimit të disa shteteve për ta përdorur në transferta bankare.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Civici u shpreh se tregu i kripotomonedhave është një treg i ri dhe shoqërohet me risk.
Megjithatë, sipas tij, besimi për të investuar është rritur, sepse kriptomonedhat bazohen në sistemin BlockChain, i cili është sistem i sigurt me përhapje shumë të mëdha në sektorë të tjerë.
“Si gjithë tregjet e reja në një epokë të re digjitale që ne po jetojmë, që është epoka e të ardhmes, edhe Bitcoin dhe kriptomonedhat duhen parë në këtë kontekst. Tregjet e reja që kanë të bëjnë me fenomene të reja, fillimisht janë të pasigurta, me rrezik krizash shumë të forta. Edhe përfshirja dhe futja e Bitcoin do t’i nënshtrohet kësaj logjike dhe këtij rregulli. Që nga viti 2010, kur filloi të përdorej, për një periudhë 10-vjecare, më shumë dukej si një lojë, sesa do të merrte përmasat që mori sot. Besimi është rritur sepse sistemi i Bitcoin dhe i kriptomonedhave, bazohen në sistemin BlockChain, një sistem i ri, shumë i sigurt dhe me përhapje shumë të mëdha në sektorë të tjerë.
Për këtë arsye, edhe besimi ndaj Bitcoin dhe kriptomonedhave ka ardhur duke u rritur derisa të shkojë drejt një lloj stabilizimi. Me kalimin e një ose dy dekadave, këto tregje të reja, me shumë risk, do shkojnë drejt stabilizimit, për t’u bërë forma investimi. Nga ana tjetër, gjatë 7-8 viteve të fundit, ka pasur goditje ky treg, nga mashtrimet që kanë ndodhur nga individë apo falimentimit të platformave, me këto humbje shumë të mëdha, natyrisht që kanë shtuar pikëpyetjen dhe frikën nëse kjo është e ardhmja apo thelbi i vërtetë i kriptomonedhave, apo po fillojnë t’i nënshtrohen logjikës normale në tregjet e aktiveve financiare dhe monetare.
Mendoj që me 3-4 veprimet e fundit, që nga lejimi i tregtimit në bursë, që nga pranimi i shumë vendeve i Bitcoin si mjet pagese, që nga rregullimet ligjore që po bëjnë bankat qëndrore, hap pas hapi, do të bëhet treg më transparent, më normal. Do ketë normën e vet të fitimit, do bashkëshoqërohet me rreziqet e falimentimit. Asnjë treg nuk është 100% i sigurt. Është një fenomen që po jep vetëm zgjerim, numri i kriptomonedhave ka kaluar 20 mijë”, theksoi ai.