Task Forca e ngritur kundër ndotjes së ujërave, qe nisi punën prej janarit të këtij viti, i lë edhe 60 ditë kohë bizneseve që operojnë në turizmin, të vendosin impiantet e përpunimit të ujërave të ndotur. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve thotë se janë në proces rekrutimi dhe se po kryhen në të gjithë vendin një fushatë informuese për bizneset. Drejtori Klevis Jahaj bën me dije që afati i vendosjes së impianteve është 1 maji i këtij viti.
“Pas kësaj date, Task Forca ka të gjithë të drejtën për të ushtruar kontrolle për të monitoruar jo vetëm zbatueshmërinë e impianteve, por edhe mënyrën si po operojnë për subjektet që duhet ta kenë instaluar sipas detyrimeve ligjore”, u shpreh ai.
Ndërsa lidhur me ankesat e disa biznese në jug të vendit, Jahaj sqaron se akti normativ për ngritjen e Task Forcës ishte nevojë emergjente dhe se bizneset e kanë patur që më parë detyrimin ligjor.
“Ka qenë një detyrim i vazhdueshëm që të gjitha këto subjekte kanë pasur për paratrajtimin e ujërave të ndotura, duhet të theksoj se kjo është një masë emergjente”, theksoi Jahaj.
Task Forca ka jo vetëm të drejtën për të monitoruar zbatueshmërinë, por ka edhe të drejtën e marrjes së masave administrative.
“Përveç masave administrative që Task Forca ka të drejtën të vendosë, pas 60 ditësh kjo masë administrative është sa dyfishi i masës para administrative dhe në fund të mbylljes së sezonit, Task Forcës i lind e drejta të kërkojë dhe pezullimin e aktivitetit deri në plotësimin e standardeve të caktuara”, deklaroi Jahaj.
Synimi i punës se Task Forcës është që nëpërmjet këtij akti ligjor të arrihet standardi në rajon, të 95 përqind të ujërave larës të pastër.