Ndonëse 80% e shpenzimeve publike për shëndetësinë menaxhohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, skema nuk siguron mbulim universal për të gjitha kategoritë e popullsisë, siç synohet në prioritetet strategjike”.
Kjo është një ndër gjetjet e raportit të hartuar nga organizata Together for Life, mbi mbulimin e nevojave reale të kujdesit shëndetësor, që ndër të tjera konfirmon edhe një herë problemin e vazhdueshëm në ndarjen e fondeve publike për shëndetësinë. Raporti konstaton mungesë transparence në planifikimin dhe monitorimin e fondeve publike të skemës së FSDKSH, duke ngritur dyshime mbi efektivitetin dhe eficiencën e përdorimit të fondeve të lidhura me një të drejtë kushtetuese sikurse është ajo për kujdes shëndetësor.
Po ashtu, për shërbimet e dhëna me koncension dhe PPP, sikurse është check-up, shërbimi i dializës, laboratorët apo sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale, nuk rezulton të jetë kryer deri tani asnjë analizë cilësore e rezultateve të politikave të degeluara në këto struktura. “Ineficiente rezulton dhe politika aktuale e menaxhimit të spitaleve, veçanërisht atyre rajonale dhe bashkiake, të cilat përveç transparencës së munguar në alokimin e buxheteve, karakterizohen nga një mungesë e theksuar efektiviteti në menaxhimin e tyre”, thuhet ndër të tjera në raport.
Ndërkaq, duke marrë në konsideratë gjetjet, jepen e dhe disa rekomandime, ku kryesori lidhet me nevojën urgjente për reformimin e skemës së kujdesit shëndetësor, duke ofruar një qasje më solidare, në kuptim të mbulimit të plotë të të gjithë popullsisë me shërbim shëndetësor dhe jo vetëm të kategorive të kontribuesve.
Po ashtu, kërkohet reformimi tërësor i skemës së financimit të spitaleve publike, duke u mbështetur në modelin e buxhetimit mbi bazë performance dhe cilësie shërbimi.