Teksa sot pritet që Gjykata e Lartë të vendosë nëse SPAK apo Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë “21 janarin”, ish-kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj theksoi gjatë një interviste televizive se kur ka kaluar kaq shumë kohë nga ngjarja bëhet edhe më i vështirë hetimi. Më tej ajo shtoi se prokurorë, të cilët duhej të kishin dhënë dorëheqjen, pasi nuk kanë kryer siç duhet hetimet për “21 janarin” dhe sipas saj, sot janë në majat më të larta të bërjes së vetingut.
-Zonja Imeraj, janë disa dosje të bujshme që janë në SPAK, por për dosjen e Fredi Belerit ka pasur një vendim, sipas jush hallkat ligjore kanë qenë korrekte, apo ka pasur tejkalime të afateve?
Të gjitha janë dosje që për shkak të përfshirjes së subjekteve përveç trajtimit juridik marrim dhe nuanca të tjera një e tillë është dhe çështja Beleri. Kjo çështje ka kaluar fazat hetimore, masa arrest me burg është kundërshtuar, kemi tre shkallë gjykimi. Beleri vazhdon të mbetet një person që nuk ka një vendim të formës së prerë. Përfshirja e tij politike e bën çështjen më të ndjeshme për tu diskutuar. Jo vetëm si juriste por si qytetar, gazetar, deputet në çdo këndvështrim do ishte e mirë ta besojmë se këto gjykata kanë qenë konform ligjit duke realizuar të drejtën e tyre. Si juriste mendoj se gjykata në vendimmarrjen e saj do ti japë zgjidhje pretendimeve të avokatëve të Belerit. Nëse është bërë kërkesë për pavlefshmërinë e një procesi që lidhet me bashkëpunëtorin e drejtësisë, gjykata ka dhënë arsyetim pse është i vlefshëm. Është e rrezikshme të mendohet se të gjitha gjykatat me radhë kanë gabuar. Nga ana tjetër është e rëndësishme të themi se ajo që duhet është respektimi i standardeve. Ajo që duhet të pritet është arsyetimi i vendimit të gjykatës. Asnjëri nga ne nuk thotë se çështja Beleri është perfekte. Gabime bëhen kudo. Asnjë s’ka marrë dosjen nga fillimi deri në fund. Gjykata që ka vendosur dënimin e këtij individi e ka të detyrueshme ta arsyetojë çdo pretendim që mbrojtja ka ngritur. Le të shohim gjykimin e gjykatës. Për ta analizuar momentin fillestar e mira e punës do ishte që prokuroria e posaçëm që fillonte hetimin për çështjen në fjalë vetë që në fillim jo prokuroria e Vlorës, sepse kështu do ishin evituar këto diskutimet. Nëse bashkëpunëtori është i tillë apo jo, është respektuar ligji për marrjen e tij si bashkëpunëtor, dhe provat që janë mbledhur janë administruar në formatin e duhur ligjor. Nëse prokuroria do kishte kryer hetimet siç edhe e ka kompetencë në momentin fillestar atëherë nuk do ishim në këtë kuadrat të diskutimeve. Është e vërtet SPAK i ka kryer hetimet pasi ka marrë çështjen në dorëzim nga Vlora me kalim kompetence në një kohë jo shumë të gjatë. Janë disa elementë që në çdo subjekt politik që hetohet, dhe çdo herë ka pasur një ilustrim.
-Kur mund ta humbasë mandatin Fredi Beleri?
Çështja do apelohet, çështja kalon në gjykatën e apelit në momentin që ka një vendim përfundimtar të formës së prerë fillojnë episodet e tjera që lidhen me zgjedhjet. Të mos ngatërrojmë procesin me betimin janë dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Pak rëndësi ka nëse betohet ose jo ai nëse ka bërë një vepër penale. Kur ka subjekte që kanë të përfshirë në politik dhe hetohen ka arsyetime nga më të ndryshmet.
-Dosjen e “21 janarit”, ju e keni pasur edhe në duart tuaja, çfarë prisni në 12 mars, mund t’i kaloj SPAK, keni një koment?
‘21 janari’ për mua duhet që të ishte hetuar kur kanë ndodhur. Largësia në kohë dhe veprimet që pezullojnë dosjen dhe ndryshimet ligjore që nuk lejojnë rihapje e dosjes, janë detaje teknike që e vështirësojnë për t’u hetuar rastin në 2024-ën. Unë personalisht, kam firmosur rifillimin e hetimeve për çështjen e ‘21 janarit’ në vitin 2021, ku përfshihej edhe një ekspertim që duhej të bëhej. Historia që mos hetimi apo devijimi në hetim i ‘21 janarit’ është dështim i drejtësisë totalisht për shkak se ka 4 viktima të vrarë. Duhet të ishin hetuar në kohën kur ka ndodhur. Që të themi sot se presim ta zgjidhë Gjykata e Lartë ndërkohë që kanë ndodhur kaq devijanca në raport me atë çfarë mund të përfitojmë nga hetimet për mua është një pritje shumë e madhe e atyre njerëzve që presin të marrin drejtësi. ‘21 janari’ duhet të ishte hetuar kur ka ndodhur. Këta prokurorë që kanë pasur çështjen duhet ta kishin hetuar. Përndryshe nëse ishin penguar, duhet të jepnin dorëheqjen dhe t’i linin vendi një prokurori që e hetonte. Ata prokurorë që kanë pasur çështjen e para kanë kaluar vetingun dhe janë në majë të bërjes së vetingut. ‘21 janari’ duhet hetuar dhe nëse prokurori që ka çështjen, intimidohet, le të japë dorëheqjen pra mos të kompleksohet.
-A mendoni se do të mbaj njeri përgjegjësi për ato 26 viktimat e “Gërdecit”?
Në rastin e ‘Gërdecit’ kalimi i kohës sjell që të interpretohen provat që s’janë më njësoj dhe procedurat që kanë ndryshuar dhe më pas edhe elementet e tjerë.
-Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë rekurs për vendimin ndaj tij për t’u liruar nga arresti në shtëpi dhe për të shkuar në parlament, do të donim një koment?
Kjo masë është lënë në fuqi nga gjykata dhe nuk ka një ndryshim të situatës. Çështja vijoj që të jetë në hetim, kjo është një çështje ku subjektet e hetuara janë politikan dhe kanë interpretimet e tyre për të parashtruar ato pretendimet e veta.