Pas marrëveshjes së arritur në Konferencën e Kryetarëve, ditën e sotme, mes PS-së dhePD-së, Gazment Bardhi ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar ditën e nesërme në orën 11:30.
Përmes një njoftimi, ai gjithashtu ka bërë me dije se për çfarë është rënë dakort në parim në Konferencën e Kryetarëve.
Ndër të tjera, Bardhi thotë se nesër do të zhvillohet një tjetër mbledhje e Konferencës së Kryetarëve në orën 13:30.
“Të ushtrohet e drejta e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e 2 Komisioneve Hetimore që u rrëzuan në 12 Tetor, duke u tëhequr nga vendimet në atë seancë.
Të ngrihet me vendim të Kuvendit një Nënkomision për Reformat, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 GPPS – 2 GPPD). Ky nënkomision është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian. Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.
Konferenca e Kryetarëve, me propozimin e përfaqësuesve të opozitës, miraton një kalendar konkret për shqyrtimin, diskutimin dhe votimin e ligjeve të propozuara nga deputetët. Kryetarja e Kuvendit kujdeset që Komisionet Parlamentare të zbatojnë kalendarin konkret të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve.
Do të punohet për projektvendimet gjatë ditës dhe më pas do të ketë nesër në 13:30 një tjetër mbledhje të Konferencës së Kryetarëve”, rendit pikat e dakordësuara në njoftimin e tij Bardhi.