Një atentat mafioz ka ndodhur në një zonë të Shkodrës pasditen e djeshme, ku dy persona janë plagosur.
Ngjarja ndodhi në Shtoj, një zonë në fakt problematike prej shumë vitesh, ndërkohë që gjithë krerët e Policisë së Shtetit janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes.
Bashkë me krerët ka shkuar edhe RENEA dhe një sërë skuadrash policore, për shkak se shënjestër e atentatit ka qenë një student i Akademisë së Sigurisë. Ai ka qenë bashkë me kunatin e tij në një mjet kur janë përballur me breshëri kallashnikovësh, që dyshohet se kanë qenë dy persona në pritë.
Studenti i Akademisë së Policisë, i cili është 28 vjeç, bëhet me dije se është edhe vëllai i drejtorit të Transportit Rrugor. Një grup i posaçëm hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë dy të plagosurit janë nisur menjëherë në drejtim të Spitalit të Shkodrës, ku kanë marrë edhe ndihmën e parë.
Policia në reagimin fillestar për ngjarjen nuk bëri me dije se si është gjendja e dy të plagosurve, por u tha se është gjendur një makinë në flakë. Të plagosurit pritet të merren në pyetje, ndërkohë që janë kërkuar pamjet filmike në zonë, ndonëse sipas të dhënave ka qenë errësirë dhe nuk dihet nëse mund të përfitohet ndonjë pamje nga ndonjë kamera shtëpish të zonës.
NGJARJA
Gjergj Ndërshtiqa dhe Gjon Nika janë dy personat që kanë mbetur të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në fshatin Shtoj të Grudës së Shkodrës, ndërsa u tha se Gjergji është student i Akademisë së Policisë. Nika saktësohet se është kunati i tij dhe se kanë qenë bashkë në momentin që iu është zënë prita. Në drejtim të Shkodrës është nisur menjëherë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtori i Krimeve të Renda, pasi dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në fshatin Grudë të Shkodrës, ndërsa njëri prej tyre është student i Akademisë së Policisë. Raportohet se më herët u nisën Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale RENEA. Mësohet se studenti i plagosur është Gjergj Ndërshtiqa, vëllai i drejtorit të Drejtorisë së Transportit Rrugor. Ata janë nisur drejt Spitalit të Shkodrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Forca të shumta policie janë nisur më drejtim të vendit të ngjarjes.
POLICIA E SHKODRËS
Rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gj. N., rreth 30 vjeç.
Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gj. N., 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët. Grupi hetimor në drejtimin e prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast.