MENU
klinika

“Parlamenti funksional, kusht për proceset integruese”

A mund të ketë zgjedhje pa Kod të ri Elektoral? Përgjigjet ambasadori i Gjermanisë

13.03.2024 - 13:38

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes palëve politike, me qëllim për t’iu rikthyer jetës normale parlamentare.

Nga qyteti i Korçës, diplomati gjerman u shpreh se “parlamenti funksional është kusht për proceset integruese të Shqipërisë”.

Ambasadori shpreson që kjo dakordesi e arritur mes palëve të sjellë zhvillime pozitive edhe për tema të tjera të rëndësishme për qytetarët shqiptarë.

“Nuk besoj se është nevoja të theksoj që është një kënaqësi vërtete e madhe që ne shikojmë këto zhvillime të kohëve të fundit lidhur me parlamentin shqipta. Gjithsesi do të shikojmë nesër nëse parlamenti do t’i rikthehet realisht aktivitetit të vet normal duke folur për përmbajtje pa qenë nevoja të bojkotohen seancat.

Gjithmonë e kemi theksuar në këto muaj të fundit që prej se në parlament kane nisur zhvillimet deri diku shqetësuese sikurse i keni konstatuar pra kemi theksuar që një parlament funksional është një kusht mjaft i rëndësishëm për një sistem demokratik edhe për procesit e integrimit të Shqipërisë në BE.

Për ne është kënaqësi të konstatojmë që këto bisedime që janë zhvilluar midis partive politike në Shqipëri tanimë të shpresojmë që do sjellin zhvillime pozitive sepse ne shpresojmë që ky lloj bashkimi i forcave politike të sjellë një dakortësi në tema të tjera të rëndësishme sikurse është reforma zgjedhore por edhe tema të tjera të rëndësishme për qytetarët shqiptarë”, tha ambasadori.

I pyetur nga gazetarët nëse mund të ketë zgjedhje pa ndryshime të Kodit Zgjedhor, ambasadori u shpreh: “Kjo është një pyetje mjaft teorike sepse ne shpresojmë që të kemi një reformë të sistemit zgjedhor dhe unë nuk mund të jap që tani konkluzionet e mia për një reformë që nuk është përmbyllur ende.

Sikurse ju e dini ekziston një komision parlamentar për çështjen e reformës zgjedhore, i cili ka afatin e vetë deri në datën 21 mars, do paraqesë rezultatet e punës së tij përpara parlamentit, përpara kuvendit dhe në momentin që do të merret vendimi në lidhje me këto rezultate atëherë mund të shprehemi”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN