I dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u bëri thirrje të mërkurën Kosovës dhe Serbisë të hedhin hapa përpara drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa theksoi rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Të dyja palët duhet të ecin përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Gjithashtu po punojmë me Serbinë që të përmbushë detyrimet e saj, kështu që nuk është një përpjekje e njëanshme për ta nxitur vetëm Kosovën të marrë vendime të vështira për ta bërë këtë marrëveshje realitet”, tha zoti Escobar.
Ai e mirëpriti vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, duke e vlerësuar atë të vështirë por të domosdoshëm.
“Gjithashtu dua ta theksoj se sa i rëndësishëm është vendimi i sotëm lidhur me manastirin e Deçanit. Ishte hap i vështirë por i nevojshëm dhe i falenderojmë të gjitha institucionet e Kosovës për bashkëpunimin në këtë çështje”, tha zoti Escobar.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se marrëveshja e arritur vitin e kaluar me Serbinë duhet të zbatohet në tërësi nga të dyja palët.
“Qasja selektive ndaj vetëm neneve të caktuara të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë sepse të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm. Në këtë drejtim angazhimi dhe roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet thelbësor për ta përmbyllur me sukses procesin e dialogut që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, tha presidentja Osmani.
I dërguari amerikan po qëndron në Kosovë për të diskutuar me përfaqësuesit e saj procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe çështjen e përdorimit të dinarit në zonat e banuara me shumicë serbe.
Një ditë më parë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga Brukseli, zoti Escobar tha se Kosova duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për këtë vendim që e cilësoi si “katastrofik dhe jokompetent”.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i qëndrueshëm i vendimit të Bankës Qendrore është i mundshëm nëse ndodhë në bashkërendim të plotë me aleatët e Kosovës.
“Aleatët tanë janë për zbatim të Kushtetutës dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj se edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecë përpara me një zgjidhje të përbashkët e në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, por ajo nuk arriti të ulte tensionet e vazhdueshme ndërmjet palëve përgjatë vitit, të cilat kulmuan me sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.
Presidentja Osmani dhe Zoti Ecobar i bënë thirrje sot Serbisë që t’i vë autorët e këtij sulmi para drejtësisë./VOA