MENU
klinika

Dërgesa e parave bëhet për pak sekonda

Çfarë sjell kloni italian i TIPS për transfertat e parave në Shqipëri?

14.03.2024 - 15:25

Projekti TIPS ose “TARGET Instant Payment Settlement” ka nisur të funksionojë në vitin 2018 në Bashkimin Europian.

Synimi ishte krijimi i një sistemi që mundësonte qarkullim shumë të shpejtë të parave për kryerjen e pagesave në të gjithë zonën Euro.

Praktikisht, ky sistem mundëson transferimin e parave në kohë reale dhe gjatë gjithë kohës, në çdo ditë të vitit, pavarësisht nëse banka është e hapur ose jo. I gjithë procesi zgjat pak sekonda dhe kostoja e një transaksioni në vendet që e aplikojnë atë është vetëm 0.2 cent. Kjo shumë ndahet në mënyrë të barabartë mes dërguesit dhe marrësit, që mund të jetë individ ose biznes.

Aplikimi i këtij sistemi pagesash të menjëhershëm konsiderohet si një hap i rëndësishëm në historinë e sistemit financiar, pasi çon në një nivel tjetër hapin e mëparshëm automatizues, prezantimin e bankomateve ATM dekada më parë.

Duke lejuar transferimin e parave nga individi në individ, nga individi në biznes dhe nga biznesi në biznes brenda pak sekondave, reduktohet jo vetëm koha e transaksioneve të parave por edhe ndryshojnë terësisht dinamikat e qarkullimit të një ekonomie.

Eksperienca ka treguar se aplikimi i pagesave elektronike në vende në zhvillim ka prodhuar një seri efektesh pozitive për ekonominë e tyre, duke sjellë një rritje të fortë të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si rrjedhojë e formalizimit të transaksioneve që më parë kryheshin në pjesën më të madhe në para ‘cash’.

Në Shqipëri, rezulton se kostoja e përdorimit të parasë ‘cash’ është rreth 2 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndaj edhe modernizimi i sistemit të pagesave vlerësohet se do të sjellë jo vetëm një formalizim të mëtejshëm të ekonomisë por edhe një reduktim të kostove që prodhon për ekonominë kombëtare përdorimi i gjerë i parasë cash.

Banka e Italisë është një nga katër bankat qendrore kombëtare që ka zbatuar që në fillim sistemin e pagesave të shpejta, TIPS.

Në këtë mënyrë, Banka e Italisë do t’i ofrojë Shqipërisë një klon të sistemit TIPS për ta aplikuar në vend dhe për të modernizuar sistemin e brendshëm shqiptar të pagesave.

Nga kjo marrëveshje, Shqipëria do të ketë një sistem që do të mundësojë transferim parash, euro dhe lekë, me një shpejtësi që nuk e ka pasur asnjëherë; çka pritet të ketë impakt të konsiderueshëm në përditshmërinë e biznesit, individëve dhe ekonomisë në terësi. Por nga ana tjetër, vendi parapërgatitet për një integrim të afërt me tregun financiar europian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave

Transaksionet mbi 1 milionë lekë/ Bankat raportojnë për 24 orë

Raporti i Bankës Botërore: Janë shtuar të varfërit

“Pandemia zhyti Ballkanin në recesion të thellë”