Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar për marrëveshjen mes PS dhe Rithemelimit në Konferencën e Kryetarëve ku u arrit dakordësia për ngritjen e dy komisioneve hetimore.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mirëpret marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament. Ne inkurajojmë deputetët që të vazhdojnë të tregojnë një përkushtim ndaj demokracisë në të mirë të popullit shqiptar”, shkruan Ambasada Amerikane në “X”.
Bazuar në kërkesën zyrtare të Gazment Bardhit drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, pritet që në muajt në vijim të zhvillohen komisionet hetimore që kanë të bëjnë me sistemin e të dhënave TIMS, PPP-të në Shëndetësi si dhe çështjen e Sterilizimit.
Komsioni do të përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe gjashtë anëtarë propozohen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe 8 anëtarë propozohen nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Puna e komisionit do të zgjasë 4 muaj, por mbetet e hapur mundësia për shtyrjen e këtij afati.
Këta dy komisione ishte pjesë e diskutimeve të ditëve të fundit mes kundërshtarëve politikë, të cilët arritën një marrëveshje për rikthimin e normalitetit në sallën e Kuvendit me plotësimin e një pjese të kërkesave të demokratëve. Kjo marrëveshje u etiketua si “pazar okult” nga Lulzim Basha dhe grupi i tij në Kuvend.
Opozita e drejtuar nga deputetët e Rithemelimit kërkon edhe ngritjen e një komisioni të ri për reformën zgjedhore, por deri tani kjo gjë nuk është miratuar nga socialistët.