MENU
klinika

E ekzekutuan në oborr

Vrasja e Gentjan Bejtjas në Fushë Krujë/ Zbardhet dinamika e ngjarjes, autorët me ‘Land Rover’ e kishin gjurmuar

15.03.2024 - 22:55

Gentian Bejtja, një nga emrat më të njohur për policinë në zonën e Fushë Krujës, u ekzekutua në një atentat me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij në Larushk pasditen e sotme.

Ndaj Bejtjas është qëlluar në momentin kur ai ndodhej në oborrin e banesës.

Dyshohet se autorët e kanë gjurmuar Gentjan Bejtjan dhe sapo ai ka hyrë në shtëpi kanë zbrazur 4 karriaktorë kallashnikovi në drejtim të tij.

Gentjan Bejtjan ishte duke punuar në serë në oborr kur është qëlluar nga autorët që kishin zbarkuar afër banesës me një makinë të tipit ‘Land Rover’.

Për ngjarjen ka reaguar edhe shefi i komisariatit të Fushë Krujës, Kreshnik Alimadhi.

Alimadhi nuk dha informacione lidhur me personat e shoqëruar por theksoi se po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për kapjen e autorëve të cilët pasi u arratisën dogjën makinën e përdorur brenda së cilës u gjetën të djegura edhe 4 armët kallashnikovë të përdorura.

“Në vendngjarje rezultoi se është vrarë me armë zjarri në banesën e tij shtetasi Gentjan Bejtja. Është formuar grupi hetimor që po merret me hetimet. Pas ngjarjes, në fshatin Hasan u gjend edhe automjeti i djegur që dyshohet të jetë i autorëve. Brenda automjetit janë gjetur 4 armë zjarri. Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet, nuk mund të jap detaje të tjera të hollësishme”– tha shefi i komisariatit.

Mësohet gjithashtu se Bejtja mund t’i ketë parë autorët pasi në oborrin e banesës së tij janë vërejtur shenja gjaku deri në pjesën e pasme të banesës, që sipas kqyrjes nga ana e policisë dyshohet se ai ka tentuar të largohet për t’i shpëtuar atentatit.

Pak minuta pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas në fshatin Larushk, makina që u përdor nga atentatorët është gjetur e djegur në fshatin Hasan të Fushë Krujës.

Makina tip “Land Rover” është shkrumbuar totalisht, ndërsa brenda saj janë gjetur katër kallashnikovë të cilët dyshohet se janë përdorur në krimin e rëndë.

Kjo nuk është hera e parë që banesa e Bejtjas sulmohet me armë zjarri. Vetëm pak muaj më parë ai mbeti i plagosur së bashku me dy fëmijët e tij të mitur, ndërsa plumbat mbi makinën e sapo parkuar në oborr i morën jetën kunatit të tij, Ramazan Sino.

Atentatet e mëparshme ndaj Gentjan Bejtjas

Kujtojmë që ky është atentati i katërt  që i bëhet Bejtjas. Kujtojmë që më 4 korrik 2023, Bejtja i shpëtoi plumbave, por kunati i tij, vëllai i gruas. Ramazan Sino humbi jetën.

Ndërsa dy fëmijët e Bejtjas, 13 dhe 8 vjeç mbetën të plagosur.

Në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja ish polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti.

Kjo ngjarje akoma nuk është zbardhur. Bejtja ishte njëri nga njerëzit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se ky të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës, natën 8 shkurtit 2015.

I njohur si ish-mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 42-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, por jo vetëm.

Në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.

42 vjeçari, u përmend shumë si personi i cili dyshohet që së bashku me Enver Stafukën kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt 24 shkurt 2013. Por me vendim gjykate Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm me 13 nëntor 2013, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e tyre për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim.

Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor të dyshuar.