Në njëvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Kosova duket se është një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, një mundësie të artë për të, dhe nga ana tjetër bërjes realitet të një “makthi serb”. Pas gëlltitjes së “pilulës së hidhur”, siç e kanë quajtur mediat kosovare aprovimin e regjistrimit të 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit nga Qeveria e Kosovës që ka thuajse një dekadë që e artikulojnë si “dhuratë 24 hektarëshe nga Sllobodan Millosheviç”, Kosova mund të anëtarësohet shpejt në Këshillin e Evropës, madje edhe brenda pak muajsh, siç thonë politologët. Prej vitesh Beogradi e ka shprehur haptazi kundërshtimin madje edhe përpjekjet për ta penguar. Megjithatë, duket se tani edhe vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç është dorëzuar, duke pranuar se pret “lajme të këqija”. Sigurisht, deri në një farë pike, Kosova duket se e ka në anën e saj Perëndimin, gjë që duket edhe nga deklaratat e bëra publikisht nga përfaqësues të BE dhe SHBA, por edhe nga gatishmëria e KFOR, për të garantuar stabilitetin e saj në çdo kohë.
Lajme të këqija për Serbinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se pret “vetëm lajme të këqija” për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga BE. “Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE)”, tha Vuçiç. Vuçiç, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në KE, tha se “ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ndodhte. Sepse mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por në mënyrë të rreme”. “Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse synimi i dikujt është që ta shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës”, shtoi ai. Në marrëveshjen e arritur në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbisë i kërkohet, ndër të tjera, edhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Epokë e re në dialog
Vuçiç, po ashtu, paralajmëroi ndryshime në qasjen e shtetit të tij në dialog. “Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjet tona”, tha ai. Nesër, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruskel për të biseduar në kuadër të dialogut çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt. Edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell, ka thënë se tani është koha që Kosova dhe Serbia t’i japin fund krizës dhe tensioneve dhe të ecin përpara në një “epokë të re evropiane”. Borrell tha në kuadër njëvjetorit të arritjes së Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë se “është për të ardhur keq që, përkundër përpjekjeve gjithëpërfshirëse nga BE-ja dhe nga bashkësia ndërkombëtare, deri tani Kosova dhe Serbia kanë shënuar përparim shumë të kufizuar në zbatimin e obligimeve që i pranuan sipas kësaj marrëveshjeje”.
KFOR blindon veriun
Sakq, në Kosovë është KFOR-i, ai që vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë.Ai tha se kanë katërfishuar praninë e KFOR-it në veri si dhe kanë trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. “Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët”, ka thënë ai.