MENU
klinika

Analiza

Gara e Putinit me veten dhe rreziku që i kanoset tani Rusisë!

19.03.2024 - 11:05

Putini duhet të kuptojë më pas se si të fillojë të vendosë rregull në sistemin e tij të pushtetit dhe të fillojë të hapë rrugën për një listë pasardhësish që do të parandalojnë atë që ka ndodhur disa herë në Rusi, nga vdekja e Pjetrit të Madh (1725) te Stalini (1953), ose ajo që ndodhi në fund të Bashkimit Sovjetik…

Vladimir Putin është në kulmin e fuqisë së tij. Duke kushtëzuar kandidatët në zgjedhje, por edhe falë një makinerie mediatike propaganduese dhe të një klime luftarake antiperëndimore, Presidenti sovjetik i Rusisë fitoi mandatin e tij të pestë.

Në prag të zgjedhjeve, ne shkruam se testi i vërtetë i Putinit nuk ishte vetë rizgjedhja (e dukshme), por gara për të tejkaluar rezultatin e vitit 2018 për sa i përket mobilizimit të votuesve dhe përqindjes së votave të marra. Në Rusi, kombinimi “magjik” për Putinin është identifikuar me formulën “70 me 70”: tejkalimi i 70 % të votave dhe një pjesëmarrje të 70% të votuesve.

Në vitin 2018, Putin kishte marrë 77.5% të votave me një pjesëmarrje prej 67.5%, afro 56.4 milionë vota. Në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara në Rusinë e shkatërruar nga lufta dhe të shtrirë në territoret e pushtuara të Ukrainës, Putini mund të pretendojë në mënyrë legjitime një triumf: pjesëmarrja u rrit në 74.22%, më shumë se 6.7 pikë se viti 2018. Putin mori 87.34 % të votave, rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë. Me 74.6 milionë vota . Domethënë 20 milionë vota më shumë në gjashtë vjet.

Duke lënë mënjanë çdo kritikë legjitime për natyrën represive dhe autokratike të regjimit të Moskës, është e qartë se duket e vështirë të shpjegohet ky rezultat. Putin mori një kthesë plebishitare si ajo e Napoleonit III, duke dashur të paraqitej si “perandor” i kurorëzuar nga populli. Tani ai do të jetë në gjendje të qeverisë deri në vitin 2030, duke arritur 31 vjet në pushtet midis fazave si kryeministër dhe periudhave si president, pasi në Rusi vetëm Jozef Stalini arriti të qëndrojë më gjatë.

Presidenti rus tani e gjen veten përballë horizontit të presidencës gjashtëvjeçare, në të cilën, megjithatë, pjesa e vështirë nuk ka ardhur ende: duhet gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë, ku ngërçi strategjik largon perspektivën e një fituesi të caktuar ushtarak; do të jetë e nevojshme të kuptohet e ardhmja e ekonomisë kombëtare pas shkëputjes energjetike të Perëndimit nga Moska dhe pas kësaj, me përfundimin e konfliktit, Moska do duhet të kthejë sistemin e saj të prodhimit nga industria e luftës në atë të zakonshme: Shpenzimet ushtarake nxitin GDP-në dhe prodhimin, por a do të jetë akoma kështu pas luftës? E vështirë për tu thënë.

Putini duhet të kuptojë më pas se si të fillojë të vendosë rregull në sistemin e tij të pushtetit dhe të fillojë të hapë rrugën për një listë pasardhësish që do të parandalojnë atë që ka ndodhur disa herë në Rusi, nga vdekja e Pjetrit të Madh (1725) te Stalini (1953), ose ajo që ndodhi në fund të Bashkimit Sovjetik: Nisja e përplasjeve shpesh brutale, midis grupeve dhe aparateve të pushtetit. Gjashtë vjet pas votimit të vitit 2018 dhe dy vjet pas fillimit të luftës në Ukrainë, Putini është më i fortë dhe më i palëkundur. Por a mund të thuhet e njëjta gjë për Rusinë? Kjo nuk është e dhënë. Dhe vitet e ardhshme do të vendosin këto procese. Dhe për të ardhmen e Rusisë si një fuqi ndërkombëtare.