Analisti Artur Zheji thotë se Sali Berisha është më i humburi nga marrëveshja për rikthimin e paqes në Kuvend, ndërsa kryeministri Edi Rama, më i fituari.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Zheji u shpreh se deputetët e Rithemelimit duan t’i tregojnë demokratëve se partia funksionon edhe pa Berishën.
Artur Zheji: Nga kjo paqe, nga kjo marrëveshje, i humburi më i madh është Sali Berisha. Është si perceptim, është si fushë dhe hapësirë loje që nuk varet nga ai se është në arrest shtëpie, i ka dhënë hapësirë rrethana, peshkaqenëve të rinj, që nëpërmjet këtyre vibracioneve, po krijojnë volumin e lojës politike, po mundohen t’i thonë publikun demokrat, që Partia Demokratike edhe pa doktorin, ose me doktorin në dritare, funksionon. I fituari i madh padiskutim është Rama, i cili mbajti një pozicion dukshmërisht të palëvizshëm, erdhën ata te Rama, nuk shkoi Rama te ata. I hoqi komisionet, i la dy komisione. Rama ia dha, këtë keni, do ta hani? Këtu ka një mister që duhet ta sqarojmë. Unë mendoj që doktori do të zgjohet prapë. Nëse është në kthjellësinë e vet, do e kuptojë që është një lojë prapa kurrizit të vet.
Ndërsa analisti Skënder Minxhozi deklaroi se ëndrra në sirtar e Gazment Bardhit, është që të jetë ai kandidati i opozitës, duke lënë pas Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
Skënder Minxhozi: Konteksti është pak i ndryshëm. Nëse në paqen e famshme me Nanon, doktori ishte në pritshmëri për t’u kthyer në pushtet dhe kjo ndodhi pas pak vitesh, nëse në 2008 fliste nga pozitat e personit që kishte pushtetin dhe ishte kryeministër, sot besoj, doktori dhe të tjerët poshtë tij, kuptojnë diçka; janë kthyer kaq relevantë, saqë janë të gatshëm, shohin që kanë njohuri të skajshme për t’u faktorizuar.
Rama është vërtet ai që luan lojën. Gaz Bardhi është gati të marrë edhe një komision, mjaft të dalë me mikrofona. Me mendjen e tij, Bardhi po kujton se tanimë ka marrë mandatin, atë që kemi diskutuar, por edhe skeptrin e kanditatit më të besueshëm që do të vijë pas Berishës dhe Bashës. Besoj se e ka ëndërr në sirtar.