MENU
klinika

Të dhënat e AMF-së

Fondet e investimeve alternative u rritën me 8% vitin e kaluar

20.03.2024 - 10:59

Fondet e investimeve alternative u rritën për të dytin vit radhazi në 2023. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit të kaluar, totali i aktiveve të fondeve të investimeve alternative arriti në pothuajse pesë miliardë lekë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, pesha e tyre kundrejt aseteve totale të fondeve të investimit në vend ka ngelur në nivele të përafërta me vitin 2022, me rreth 10% të totalit të tregut.

Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që hyri në fuqi në qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për fondet e investimeve alternative, fonde ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar. Sipas ligjit, klientë profesionistë klasifikohen subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj.

Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë. Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.

Fondet e investimeve alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme. Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuara dy fonde të investimeve alternative, Sea Land Investment Fund dhe Green View Alternative Investment Fund. Të dyja fondet administrohen nga shoqëria administruese Credins Invest. Asetet e këtyre fondeve janë të investuara kryesisht në pasuri të paluajtshme.

Në fund të vitit 2023, fondi më i madh ishte Sea Land Investment Fund kishte aktive totale për afërsisht 3 miliardë lekë, në rritje me 8.4% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa fondi tjetër, Green View Alternative Investment Fund, zotëronte aktive totale për më shumë se 1.9 miliardë lekë, në rritje me 7.5% krahasuar me vitin 2022. Rritja e vlerës së pronave, që ndodhen pranë zonës ku po ndërtohet Aeroporti i Vlorës, ka dhënë efekt pozitiv në totalin e aseteve të këtyre fondeve.

Ndërkohë, segmenti më i rëndësishëm i tregut të fondeve të investimit, ai i fondeve klasike që investojnë në instrumente financiare, vitin e kaluar iu rikthye rritjes, pas goditjes së fortë që pësoi në vitin 2022. Sipas statistikave të AMF-së, asetete neto të këtyre fondeve (përjashtuar fondet e investimeve alternative) arritën vlerën e 45.45 miliardë lekëve, në rritje me 9.2% krahasuar me vitin 2022. Numri i anëtarëve në fonde arriti në 32 189, në rritje me 11.2% krahasuar me fundin e vitit 2022. / Monitor