Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si dhe zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve, Kyriakos Kakouris nënshkruan sot marrëveshjen për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Zv/kryeministrja e cilësoi ndërtimin e kësaj linje prej 120 kilometrash, me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin.
“Do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por edhe të mallrave”, shtoi Balluku.
Pas Tiranë-Durrës me degëzim në Rinas, ministrja Balluku bëri të ditur se segmenti Vorë-Hani i Hotit është projekti i dytë madhor i qeverisë shqiptare në transportin hekurudhor.
“BEI mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm për jetësimin e disa projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore e hekurudhore”, deklaroi Balluku.