Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje.
Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e më shumë terren importeve. Të dhënat e INSTAT për tregtinë e jashtme e shfaqin dukshëm këtë tendencë.
Zëri i importeve “makineri pajisje” ka qenë në rritje sistematike vit pas viti, pasi në një ekonomi në zhvillimin nevojat për prodhim rriten nga viti në vit. Por në dymujorin 2024, importet e këtij grupi shënuan rënie vjetore në vlerë me 9.5%.
Në janar-shkurt 2024 u importuan 18,1 miliardë lekë makineri dhe pajisje, nga 20,1 miliardë lekë në dymujorin 2023. Rënia e importeve në këtë zë, tregon krizën në të cilën po kalon sektori i prodhimit në vend.
Të goditur nga kriza e shumëfishtë, si rënia e euros, mungesa e kërkesës nga jashtë dhe rritja e pagave minimale, prodhuesit në vend që të investojnë, po falimentojnë. Një seri falimentesh po përfshin njësitë e vogla të sektorit fason që punësojnë deri në 130 punonjës.
Sektori i industrisë, që është importuesi më i madh i makinerive dhe pajisjeve, nuk po investon si pasojë e humbjeve që kanë pësuar nga kursi i këmbimit’
“Kemi bërë blerje vetëm në pajisje që janë prishur, pra vetëm zëvendësime për të mos ndalur totalisht prodhimin. Për investime të reja, as nuk bëhet fjalë” tha Alban Zusi, i cili drejton fabrikën e agropërpunimit INCA në Lezhë.
Sektori fason, në një pjesë të madhe, ka nxjerrë në shitje edhe ato makineri që ka, pasi porositë nga jashtë kanë rënë në mënyrë drastike.
Kriza në sektorin e prodhimit i ka hapur rrugë rritjes së importeve në të gjitha kategoritë, sidomos për ushqimet, metalet, dhe materiale që lidhen me industrinë e turizmit.. Në dymujorin e parë të 2024, importet në sasi ishin gati 20% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ndonëse Shqipëria ka peshën më të madhe të bujqësisë në raport me madhësinë e ekonomisë, me gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 2% që është mesatarja e Bashkimit Europian, në treg po mbizotërojnë ushqimet e importit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e frutave dhe zarzavateve u rritën me 63% në periudhën janar-shkurt 2024 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga një vëzhgim në tregjet e pakicës, më shumë se 80% e perimeve, frutave dhe zarzavateve në tezga janë nga importi.
Patatet dhe fasulet po vijnë nga Egjipti dhe Turqia, perimet dhe frutat nga Greqia, bulmetrat dhe drithërat nga Serbia, Ukraina, Maqedonia e Veriut etj./Monitor